Rreth 170 foshnje vdiqën më 2019 në Neonatologji të QKUK-së

Kosova

Rreth 170 foshnje vdiqën më 2019 në Neonatologji të QKUK-së

Më: 15 shkurt 2020 Në ora: 08:55
Ilustrim

169 foshnje kanë vdekur vetëm gjatë vitit 2019 në Klinikën e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kjo si pasojë e problemeve shëndetësore e peshës nën 1.500 gramë, por edhe patologji të ndryshme që ndërlidhen me lindje të parakohshme.

Mirëpo në vitin që lamë pas, sipas drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, është shënuar rënie sa i përket vdekshmërisë së foshnjave.

Gojnovci tregon se në vitin 2018, numri i vdekjeve të foshnjave kishte arritur në 206.

“Klinika e Neonatologjisë trajton të gjitha foshnjat që lindin në Klinikën Obstretike Gjinekologjike, por edhe të gjitha ato që referohen nga spitalet regjionale apo që vijnë nga shtëpia, që i sjellin prindërit me probleme shëndetësore. Në vitin 2019 ka një rënie të vdekshmërisë së foshnjave në krahasim me vitin 2018. Numri i foshnjave të vdekura në viti 2019 është 169. Në vitin 2018, numri i foshnjave të vdekura ka qenë 206”, thotë ai.

Sipas tij, ka shumë faktorë të cilët mund të kenë ndikuar në rënien e vdekshmërisë së foshnjave.

Një nga to është edhe rënia e foshnjave të lindura në Gjinekologji, numri i foshnjave të lindura parakohe si dhe furnizimi më i mirë me aparatura.

“Mund të ketë shumë faktorë, nuk e kemi studiuar në detaj, vitin 2019 krahasim me vitin 2018 ka edhe një rënie të foshnjave të lindura në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, nga 10.422 foshnje që kanë qenë në vitin 2018, ka diku 600 foshnje më pak në vitin 2019. Poashtu ka edhe një numër më të vogël të foshnjave të lindura para kohe”.

“Mund të bëjë një krahasim psh, foshnjat që kanë lindur nën 1000 gramë është 10 më pak. Kështu që edhe ajo ndikon në zvogëlimin e vdekshmërisë. Poashtu ndikon edhe 2019 -2018 kemi një furnizim më të mirë të aparaturës dhe kemi rekrutua një numër të infermiereve që poashtu ndikojnë në rritjen e shërbimeve shëndetësore që të jenë sa më cilësore ato. Numri i infermiereve në bazë të OBSH-së që duhet të kujdesen për foshnje duhet të jetë dy, ndërsa në Klinikën e Neonatologjisë një infermiere kujdeset për pesë foshnje së paku”, theksoi Gojnovci.

Gojnovci më tej tregon se gjatë vitit të kaluar kanë pasur dy raste të fëmijëve të braktisur të cilët kanë vdekur për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore.

Ai thotë se foshnjat zakonisht vdesin kur janë nën peshën 1500 gramë.

“Në vitin e kaluar kemi pasur dy raste që ndërruar për shkak të gjendjes shëndetësore ne i kemi ofruar shërbime shëndetësore të gjitha, mirëpo kanë qenë patologji që nuk përballuar dhe kanë ndërruar jetë. Vdekshmëria më e madhe është nën peshën 1500 gramë, 500 deri 1500 gramë që përfshin 60% të gjitha rasteve të foshnjave të vdekura”, tregoi ai.

“Po Klinika e Neonatologjisë trajtohen patologji te ndryshme, patologjiamë e shpeshtë që trajtohet në klinikën tonë është asfeksioni perinatal, foshnje parakohe me komplikimet e mundshme që përcillen ato, infeksione dhe anomalitë e ndryshme”, theksoi ai.

Mirëpo, Gojnovci përmendi se Klinika e Neonatologjisë po përballet me një numër të vogël të infermiereve.

Ai thotë se një infermiere në Neonatologji, kujdeset për pesë foshnje.

Për këtë, Gojnovci tregon se bërë një kërkesë në ShSKUK që të rekrutohen 20 infermiere.

“Numri i infermiereve në bazë të OBSH-së që duhet të kujdesen për foshnje duhet të jetë dy, ndërsa në Klinikën e Neonatologjisë një infermiere kujdeset për pesë foshnje së paku. Kam nënshkruar një kërkesë që të rekrutohen infermiere, mund të them se kemi bërë një plan tre vjeçar se sa infermiere kemi nevojë, kërkesë është për 20 infermiere, duke planifikuar edhe ato që dalin pension dy vitet e ardhshme. Pritja është gjithmonë, mirëpo nuk varet nga ne, por nga ShSKUK-ja”, theksoi ai.

Ndërsa, nga drejtoria e SHSKUK-së, në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, thonë se mungesat dhe kërkesat e klinikave janë shumë më të mëdha, krahasuar me mundësitë buxhetore.

“Viti 2019, ka qenë viti që më së shumti janë pranuar infermier/e  dhe nevojat urgjente janë përmbushur në të gjitha klinikat. Në këtë vit, pas miratimit të buxhetit, bazuar në mundësitë buxhetore do të ketë sërish konkurse në mënyrë që të përmbushen kërkesat”, thuhet në përgjigjen nga ShSKUK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat