Në ditën e Pavarësisë, veteranët e luftës nga Malisheva, kërkojnë unitet të spektrit politik - Bota Sot
Në ditën e Pavarësisë, veteranët e luftës nga Malisheva, kërkojnë unitet të spektrit politik

Kosova

Në ditën e Pavarësisë, veteranët e luftës nga Malisheva, kërkojnë unitet të spektrit politik

Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 16:01
Malisheva

Në Komunën e Malishevës, po shënohet 17 Shkurti-Dita e Pavarësisë së Kosovës. Në kuadër të aktiviteteve që po mbahen sot, e që kryesisht janë aktivitete tradicionale, është mbajtur mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës, si dhe janë bërë homazhe dhe nderime në vendet e shenjta të historisë sonë, kryesisht të luftës së fundit. Në këtë ditë, gjatë fjalimeve të rastit, veteranët e UÇK-së, kërkuan unitet të spektrit politik.

Në mbledhjen solemne të KK të Malishevës, fjalime kanë mbajtur Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrahim Morina, të cilët kanë folur për rrugëtimin e Kosovës, deri në shpalljen e pavarësisë, duke i përmendur në mënyrë kronologjike ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur.

Ndërsa përfaqësuesi i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Malishevë, Metush Kryeziu, kërkoi unitet të spektrit politik në vend, pasi sipas tij “Kosovën e presim sfida të mëdha, ndërsa politika shqiptare është shumë e përçarë dhe sot nuk po dihet se kush është patriot në këtë vend dhe partitë politike nuk kanë të drejtë të përvetësojnë vlerat e UÇK-së dhe dëshmorët e kombit”. Ai më pas bëri thirrje për unitet të spektrit politik dhe kërkoi që mos njolloset lufta e drejtë e  UÇK-së, nga individ të caktuar brenda subjekteve të politike dhe të mos njollosen subjektet politike nga veprimet individuale të personave që përfaqësojnë antivlera”, tha mes tjerash Kryeziu.

Pas mbledhjes solemne, janë bërë nderime para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, më pas janë bërë nderime edhe pllakës me emrat e civilëve të vrarë gjatë luftës së fundit, si dhe janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, në Kleçkë dhe në Prekaz.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat