Mbahet kuvendi i katërt i Odës së Infermierëve

Kosova

Mbahet kuvendi i katërt i Odës së Infermierëve

Më: 21 shkurt 2020 Në ora: 20:01
Pamje nga vendi i ngjarjes

Oda e Infermierëve të Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e katërt të legjislaturës së dytë, ku kanë raportuar për angazhimet e vitit të kaluar dhe kanë shpalosur planet e punës për vitin 2020.

Kryetari i OIK, Naser Rrustemaj, ka thënë se krahas sfidave që ndërlidhen kryesisht me brengën e largimit nga Kosova të qindra profesionistëve shëndetësorë, përfshirë këtu numrin më të madh të stafit infermierorë, kanë shënuar suksese të cilat do të lënë gjurmë në infermierinë.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe, Këshilli Drejtues ka ndërmarrë aktivitete shumë voluminoze dhe të gjithanshme, duke nxjerrë vendime dhe akte të tjera për rregullimin e çështjeve me prioritet dhe interes për anëtarët e Odës.Kështu, ka shtuar ai, është bërë auditimi i jashtëm për OIK dhe pas këtij auditimi, Këshilli Mbikëqyrës ka adresuar të gjitha të gjeturat e raportit të auditorit të jashtëm.

“Ato ua them në transparencë të plotë se janë trajtuar dhe po trajtohen në vazhdimësi, si një prioritet për ndryshime dhe avancim të shërbimeve në OIK. Po ashtu, edhe Këshilli Etik gjatë këtij viti është ballafaquar me sfida të shumta, si ato të trajtimit të shkeljeve të etikës dhe deontologjisë, duke ndërmarrë edhe revokime të licencës aty ku janë gjetur shkelje serioze”, ka thënë Rrustemaj.

Ai shtoi se trajtimi i këtyre rasteve ishte rezultat i një pune efikase hetimore të kryer paraprakisht nga prokurori i këtij institucioni. OIK, tha Rrustemaj, ka avancuar platformën e saj digjitale, duke synuar që të jetë sa më afër infermierëve.

“Duke iu referuar këtyre vlerave, OIK-u ka krijuar një atmosferë mirëbesimi dhe është faktorizuar si institucion i ri, i besueshëm dhe i respektueshëm”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Sami Uka, këshilltar i ministrit të shëndetësisë, ka përshëndetur Kuvendin e Odës së Infermierëve, duke vlerësuar lart punën e infermierëve.

“Nëse shpëton një jetë je hero, nëse shpëton shumë jetë je infermier”, ëeshtë shprehur ai.
Në këtë kuvend, organet e Odës së Infermierëve kanë raportuar para anëtarësisë për angazhimet e vitit të kaluar dhe kanë miratuar planin e punës së vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat