Nuk ka coronavirus në Kosovë, tre rastet e fundit dalin negative

Kosova

Nuk ka coronavirus në Kosovë, tre rastet e fundit dalin negative

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 19:42
Foto Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK) gjatë ditës së sotme, më 25 shkurt 2020, ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për tre raste të dyshimta në Koronavirus COVID-19.

Pacientët u kontrolluan nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu morën mostrat për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2 dhe Influenza A dhe B.

Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virusin SARS CoV-2 dhe në influencë A dhe B me metodën rRT-PCR të të tre pacientëve.

Testet kanë rezultuar negative për të tri analizat, domethënë të tre pacientët nuk janë të infektuar me virusin SARS-CoV-2 as me Influencë A dhe B.

Aktivitetet në lidhje me monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19

1. Në mbledhjen e mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë me institucionet relevante në nivel qeveritar, Ministri i Shëndetësisë sot vendosi të themelojë Komitetin Drejtues për menaxhimin e situatës emergjente me COVID-19, organ i paraparë me Planin e Gatishmërisë dhe Përgjigjes.

2. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka konstatuar se janë përforcuar masat për monitorimin, parandalimin e rrezikut të përhapjes së COVID-19 që konsistojnë në:

• Vazhdimin e zbatimit të parimeve themelore nacionale të reagimit në sistemin e mbikëqyrjes së rasteve.
• Depistimin dhe detektimin e rasteve të dyshimta, si dhe përcjelljen e dinamikës së sëmundjes;

• Konfirmimin laboratorik të rasteve të raportuara;
• Aktivizimin e ekipeve për hulumtim të epidemisë;

3. Ekipet e IKSHPK dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare po përcjellin me vëmendje situatën epidemiologjike me Koronavirus në pikat hyrëse tokësore dhe aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”.

4. Aktivitetet e rekomanduara nga Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse kanë vazhduar me masat për parandalimin e virusit në institucionet arsimore të Kosovës që konsistojnë në:
• Shpërndarjen e materialeve të edukimit dhe promovimit shëndetësor, posterëve dhe lifleteve.
• Organizimin e ligjëratave përkushtuar njohurive p֝ër koronaviruson COVID- 19, të organizuara nga arsimtarët dhe profesorët me përkrahje të specialistëve të shëndetësisë publike të IKSHPK.
• Ndërmarrjen e hapave sipas rekomandimi të IKSHPK që në të gjitha institucionet shkollore të bëhet dezinfektimi i shtuar i të gjitha sipërfaqeve dhe nyjeve sanitare.
5. Është ngritur shkëmbimi i informatave ndërinstitucionale mes Ministrisë së Shëndetësisë, IKSHPK, Qendrës së Situatave, Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave, SHSKUK, AUV, QKMF-ve, Policisë së Kosovës, FSK, MASHT.

6. IKSHPK, thekson se nuk ka vend për panik, por për kujdes të shtuar duke përsëritur rekomandimet:

• Shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të frymëmarrjes!

• Sa të jetë e mundur shmangni përshëndetjen me shtrëngim të duarve!
• Shmangni përqafimet dhe puthjet për aq kohë sa jeni në rrezik nga infeksionet respiratore!

• Lani shpesh duart, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

• Lani duart porsa hyni në shtëpi!
• Lani duart para fillimit të përgatitjes së ushqimit!
• Lani duart pas përdorimit të tualetit!
• Lani duart sa më shpesh me ujë e sapun 20-30 sekonda, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre!

• Lani duart sa herë që teshtini apo kolliteni!
• Shmangni prekjen e fytyrës dhe mbuloni gojën dhe hundën me faculetë, me mëngë ose parakrahë gjatë kollës dhe teshtitjes. Pastaj hudhni faculetat e përdorura në shportën më të afërt të mbeturinave!

• Nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore dhe tregoni historinë eventuale të udhëtimit jashtë vendit!

• Personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes!

• Mos frekuentoni ambientet mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz!
• Pini sa më shumë ujë, lëngje, çaj me limon!
• Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike nëse përdorin transportin publik të përdorin maska!

• Gjatë udhëtimit përdorni ushqime të paketuara!
• Personat të cilët kanë qenë në provincën Wuhan, Kinë apo zona të prekura nga COVID-19 brenda 2 javëve të fundit dhe kanë ethe, kollë ose vështirësi në frymëmarrje, duhet menjëherë të kërkojnë ndihmë mjekësore!

• Brenda mjediseve të institucioneve të kujdesit shëndetësor, të forcohen praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës!

• IKSHPK rekomandon të gjithë që të mos udhëtojnë drejt Kinës ose zonave/ shteteve me Koronavirus, nëse nuk e kanë të domosdoshme!

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 25 shkurt 2020, janë raportuar gjithsej 80 377 raste me COVID-19 dhe gjithsej 2 707 raste të vdekjes, derisa në Evropë, janë raportuar 276 raste me COVID-19 dhe 7 raste të vdekjes.

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, rekomandimet mund të pësojnë ndryshime. Qytetarët do të jenë të informuar në kohë reale për çdo ndryshim eventual të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat