EBU-ja reagon ashpër për uljen e buxhetit të RTK-së

Kosova

EBU-ja reagon ashpër për uljen e buxhetit të RTK-së

Më: 17 mars 2020 Në ora: 17:41

Unioni i Transmetuesve Evropian (EBU) ka kritikuar ashpër qasjen e institucioneve të Kosovës karshi RTK-së.

EBU u ka dërguar letër kryeministrit të Kosovës dhe kryeparlamebtares Vjosa Osmani.

Drejtori Gjeneral i EBU Noel Curran, i ka dërguar dje një letër krerëve të institucioneve të Kosovës, duke u bërë me dije se me uljen e buxhetit po demtojnë seriozisht funksionimin e RTK-së.

EBU kërkon nga institucionet që të rishikojnë këtë vendim, ndërkaq raportimin çdo tre muaj në parlament e kanë quajtur presion politik mbi transmetuesin publik.

Letra e plotë e Drejtorit Gjeneral të EBU-së Noel Curran:

I nderuar kryeministër,
 
Në emër të Unionit Evropian të Transmetuesve dhe komunitetit të anëtarëve të tij, po shkruaj për të ju kërkuar që të ri-shqyrtoni buxhetin e propozuar për RTK në projektbuxhetin tuaj kombëtar për vititn 2020.
 
Ne e kuptojmë që Projektligji për ndarjet buxhetore në Republikën e Kosovës për vitin 2020 është aprovuar në një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit më 15 mars 2020. Sipas Nen.11, fq. 10 “Për periudhën Janar- Dhjetor 2020, tetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë mijë euro (8,960,000) Euro do të ndahen për Radio Televizionin e Kosovës, nën kategorinë e subvencioneve dhe transferimeve.”
 
Buxheti i propozuar është rreth 2 milion Euro më pak se një vit më parë, i cili do të dëmtojë seriozisht funsionimin e transmetuesit publik kombëtar, i cili ka një mision të gjerë dhe të rëndësishëm në shoqëri për të informuar, arsimuar dhe argëtuar qytetarët, për të promovuar gjuhën kombëtare, historinë, kulturën dhe traditat dhe u shërben të gjithë segmenteve të shoqërisë, përfshirë fëmijët dhe minoritetet.
 
Roli i transmetuesve publik duke iu përmbajtur standardeve të larta profesionale dhe duke ofruar informacion të besueshëm bëhet edhe më i rëndësishëm tani në kohën kritike të shpërthimit të virusit Corona, kur qytetarët varen nga informacioni i besueshëm, përmbajtja arsimore e programit dhe njoftimet për siguri civile.
 
Pavarësisht nga këto rrethana të jashtëzakonshme, RTK është e detyruar me Ligj të transmetojë ngjarje domethënëse kulturore dhe sportive, siç janë Lojrat Olimpike dhe Euro 2020, që përfshijnë organizim në shkallë të gjerë dhe planifikimin afatgjatë të mjeteve financiare.
 
Sigurimi i financimit të pavarur, të qëndrueshëm dhe adekuat të transmetuesve publik është subjekt i shumë instrumenteve evropiane, dhe në veçanti Rekomandimi 1878 (2009) i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për financimin e transmetuesve publik që kërkojnë “financim adekuat afatgjatë” në përputhje me parimet e EBU-së për financim.
 
Parimet e EBU-së për financim dhe instrumentet e tjera nënvizojnë gjithashtu rëndësinë e duhur, për financim të qëndrueshëm dhe të pavarur.
 
Më tej, ne jemi gjithashtu të shqetësuar për kërkesën për raportim tremujor në Parlament, siç parashikohet në nenin. 11 fq. 10:
 
“Para çdo tremujor, RTK do t’i paraqesë Kuvendit dhe Komisionit parlamentar të Buxhetit shpenzimet e planifikuara. Në fund të çdo tremujori, RTK do t’i paraqesë Kuvendit raportin për shpenzimet e bëra. Në bazë të këtij paragrafi, fondet përvetësohen dhe transferohen nga Thesari në llogarinë në një Banke Tregtare të caktuar nga RTK-ja, sipas vendimit të Komisionit të Buxhetit dhe Financave. “
 
Nuk ka dyshim se RTK duhet të jetë e përgjegjshme dhe përgjegjëse për shpenzimet e tyre dhe ne e mbështesim plotësisht këtë detyrim. Sidoqoftë, raportimi tremujor në parlament mund të çojë drejt gjykimit për ndërhyrje të padrejtë politike, e cila do të dëmtonte seriozisht pavarësinë institucionale dhe autonominë e transmetuesit publik.
 
BE gjithashtu po mbështet zhvillimin e transmetuesit publik në Kosovë si një institucion kryesor për promovimin e demokracisë, dialogut, kohezionit shoqëror dhe pluralizmit të mendimeve. Kosova është përfituese e një projekt të rëndësishëm të financuar nga BE për Ndihmë Teknike për transmetuesit publik në Ballkanin Perëndimor, implementuar nga një Konsorcium: EBU, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, Federata Evropiane e Gazetarëve, ORF, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Zyra Rajonale e Shkëmbimit të Lajmeve të EBU-së (ERNO). Palët e përfshira në projekt janë përfaqësues nga parlamentet, autoritetet rregullatore, organet drejtuese dhe menaxhuese të transetuesve publik, sektori civil, përfaqësues dhe ekspertë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë që synojnë anëtarësimin në BE.
 
Palët e përfshira kanë miratuar Parimet e Përbashkëta Rajonale për Financimin e Transmetuesve Publik dhe parimet për Qeverisje, të cilat i bashkëngjiten kësaj letre. Për informacionin tuaj, Parimet mbi financimin dhe qeverisjen e transmetuesve publik përfshihen në Deklaratat e BE-së dhe Rekomandime në procesin e bisedimeve për anëtarësim të Malit e Zi.
 
EBU do të sigurojë më tej ndihmë profesionale për transmetuesin publik dhe do të mbështesë përpjekjet e tij për t’i shërbyer më mirë publikut.
 
Sinqerisht shpresoj që të filloni një dialog me autoritetet përkatëse për të rishqyrtuar buxhetin dhe raportimin në parlament, dhe t’ia mundësoni RTK-së si një institucion i rëndësishëm demokratik, të përmbushë misionin në shoqëri.
 
Sinqerisht,
Noel Curran
Drejtori Gjeneral i EBU

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat