Kryetarët e komunave kërkojnë kompensim nga qeveria e Kosovës për inspektorët komunalë dhe punëtorët e pastrimit

Kosova

Kryetarët e komunave kërkojnë kompensim nga qeveria e Kosovës për inspektorët komunalë dhe punëtorët e pastrimit

Më: 28 mars 2020 Në ora: 18:16
Qeveria e Kosovës

Kryetarët e komunave të Kosovës përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës i janë drejtuar me një kërkesë ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.

Kërkesa e kryetarëve të komunave është për përfshirjen e inspektorëve dhe punëtorëve të pastrimit në “Pakon Emergjente Fiskale”.

Kjo është kërkesa e plotë:

Asociacioni i Komunave të Kosovës edhe një herë Ju përgëzon për reagimin Tuaj të shpejtë si Ministri e Financave dhe Transfereve me ”Pakon Emergjente Fiskale”, pas situatës së krijuar për luftimin e virusit COVID-19 nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Pas publikimit të ‘Pakos Emergjente Fiskale’ një pjesë e konsiderueshme e Inspektorëve Komunal, përmes Kolegjiumit të Inspekcionit në kuadër të AKK-së, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mos përfshirjen e tyre në këtë pako. E gjithë kjo duke pasur parasysh edhe nevojën për angazhimin më të madh të tyre në këtë kohë pandemie. Edhe Inspektorët Komunal kanë respektuar vendimet e qeverisë për të ndihmuar në minimizimin e ndikimit të virusit Corona nëpër komunat e tona përmes aktiviteteve të tyre të përditshme.

Jemi të vetëdijshëm dhe nuk e kontestojmë që në vijën e parë pa dyshim janë stafi mjekësor dhe Policia e Kosovës! Por angazhimi dhe puna e Inspektorëve Komunal në teren mendojmë se është e pa kontestushme dhe shumë e vlefshme në këtë situatë.

Ekipet e inspektorëve komunalë, që përbëhen nga inspektorët dhe zyrtarët e inspeksionit, janë vazhdimisht në terren për zbatimin e vendimeve të Qeverisë, në secilin rast. Po punojnë me orar të zgjatur, e në gatishmëri për 24h.

Për çdo mbyllje të biznesit në këtë fazë, kujdesen ata. Edhe kur Policia sheh ndonjë lokal që punon jashtë Urdhëresave aktuale, e thërret ekipin e inspeksionit për të ndërmarr masa e për ta mbyllur.

Për çdo kontroll të secilit biznes që punon, nëse ka kryer dezinfektimin dhe nëse punëtorët kanë pajisje për mbrojtje të shëndetit, kujdesen ekipet e inspeksionit komunal.

Kanë kontakte të drejtëpërdrejta të vazhdueshme me pronarët dhe shitësit e furrave, marketeve, barnatoreve që punojnë; pra me të gjithë ata që kontaktojnë me shumë klientë brenda ditës e mund të jenë vetë tashmë vatra të virusit. Pra, ekipet e inspeksionit komunal janë më të rrezikuar edhe se disa nga kategoritë që janë të përfshirë në pakon e mëparshme.

I nderuar Ministër, Ju drejtohem që të keni parasysh edhe këtë kërkesë nga ana e jonë, dhe si rrjedhojë kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e zgjerimit të Pakos Emergjente Fiskale edhe me shpërblimin për pjesëtarët e Inspektorateve në nivel komunal.

Poashtu, Kryetarët e komunave vlerësojnë lartë punën dhe angazhimin e punëtorëve të Ndërmarrjeve Komunale për grumbullimin e mbeturinave sepse jo vetëm që janë të anagazhuar në grumbullimin e mbeturinave por në këtë situatë këta punëtorë bëjnë edhe dezinfektimin e rrugëve lokale dhe objekteve tjera të menaxhuara nga komunat.

Prandaj, ne si AKK kërkojmë që edhe punëtorët e këtyre ndërmarrjeve të janë përfitues të Pakos Emergjente Fiskale.

Ju falenderojmë për mirëkuptim dhe bashkëpunim !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat