​Kompanitë e largimit të mbeturinave në krizë, kërkojnë ndihmë nga qeveria dhe komunat

Kosova

​Kompanitë e largimit të mbeturinave në krizë, kërkojnë ndihmë nga qeveria dhe komunat

Më: 3 prill 2020 Në ora: 13:07
Nexhat Abdullahu

Kompanitë Rajonale të largimit dhe grumbullimit të mbeturinave në nivel të Kosovës, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen në të cilën po punojnë në kohën e pandemisë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe komunat ndihmë financiare.

Ata në një konferencë për media, thanë se edhe qytetarët duhet t’i kryejnë obligimet e veta, pasi ndryshe nuk do të kenë mundësi të funksionojnë, derisa theksuan se punëtorët e tyre po rrezikohen çdo ditë nga koronavirusi.

Përfaqësuesi i kompanisë regjionale "Ambienti", në Pejë, Nexhat Abdullahu ka shprehur shqetësimin që këto kompani nuk janë të përfshirë në pakon emergjente të Qeverisë.

Abdullahu: Kemi mbet jashtë pakos në mënyrë ofenduese

“Flas në emër të shtatë kompanive, flas në emër të 2000 punëtorëve, të kompanive që punojnë në grumbullimin e mbeturinave, asnjëherë nuk është ndalur shërbimi por në një mënyrë shumë ofenduese dhe zhgënjyese jemi anashkaluar nga skema”, tha ai.

Sead Rama, drejtor ekzekutiv “Ekohigjena”, nga Gjilani, e cila kryen shërbime në Anamoravë, tha se si kompani nuk janë të pathyeshëm, por apeloi te qeveria dhe qytetarët

Rama: Besoj që qeveria do ta shqyrtojë situatën tonë

“Kemi pas si kompani një shkallë të inkasimit, afër 90 përqind, tash kemi rënë në një shkallë të inkasimit rreth 40 përqind, që është një situatë dramatike financiare për ne që nuk do të jemi në gjendje t’i përballojmë obligimet që kemi edhe ndaj punëtorëve, që të paguajmë pagat punëtorëve, që të paguajmë obligimet ndaj institucioneve dhe të tjera. Ne jemi të vetëdijshëm që në këtë situatë duhet secili ta jap kontributin e vet, ne nuk jemi tërheq nga puna e përditshme, jemi duke punuar me kapacitet të plotë....besoj që qeveria do ta shqyrtojë këtë situatë, do merr parasysh situatën tonë. Apeli im është edhe një herë të klientët, pagesën minimale 4 euro, këtë jemi në gjendje ta përballojmë”, tha ai.

Dukagjin Hetemi nga kompania ‘Pastërtia’, nga Ferizaj, u ndal te aspekti shëndetësor i punëtorëve që grumbullojnë mbeturina, ka thënë se punëtorët po rrezikohen në zonat e prekura nga pandemia.

Hetemi: Punëtorët po rrezikohen nga pandemia

“Ne jemi duke shërbyer në zonat që janë të prekura nga virusi dhe brenga dhe shqetësimi jonë është ana shëndetësore e punëtorëve, në pamundësi që të sigurojmë kushtet maksimale të sigurisë për punëtorëve, sepse në asnjë moment nuk e kemi ndërprerë punën, do të thotë rreziku është potencial që edhe ndonjë nga punëtorët e kompan isë do të infektohet me këtë virus dhe që do të na sjellë në një situatë tejet të rënd pastaj sepse do të ketë frikë, do të ketë rrezik që të ndërprehet edhe puna”, tha ai, duke kërkuar ndihmë financiare nga qeveria dhe komunat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat