Studentët kërkojnë siguri për gjërat e lëna në konvikte

Kosova

Studentët kërkojnë siguri për gjërat e lëna në konvikte

Më: 4 prill 2020 Në ora: 17:40
Qendra studentore

Studentët që banojnë në konvikte po kërkojnë siguri për gjërat që i kanë lënë në dhomat e tyre pasi ato u shndërruan në karantinë.

Organizata “Paqja Studentore” pas kërkesës drejtuar Qendrës së Studentëve po vazhdon të interesohet për gjësendet e studentëve në konvikte, duke i kërkuar kështu rektorit të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, që ta kontakojë drejtorin e konvikteve në lidhje me sigurinë e gjërave të studentëve.

“Duke e ditur që banorët e këtyre konvikteve janë studentë të Universitetit të cilin e drejtoni, kërkojmë nga ju që ta kontaktoni zyrtarisht drejtorin e Qendrës dhe të kërkoni përkujdesje për gjësendet e studentëve nga ana e institucionit që ky i fundit drejton, si dhe së bashku të gjeni një zgjidhje që studentët të mund t’i marrin librat dhe gjërat e tjera, të cilat janë më se të domosdoshme për ta”, thuhet ndër të tjera në kërkesë.

Kjo kërkesë erdhi si rezultat i ankesave të vazhdueshme që “Paqja Studentore” i ka pranuar nga studentët, të cilët janë të shqetësuar për sigurinë e gjërave të tyre pas shndërrimit të konvikteve në karantinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat