Haxhiu: Nenet më të mira në Kushtetutën tonë, kanë mbetur të pazbatuara në plotninë e tyre

Kosova

Haxhiu: Nenet më të mira në Kushtetutën tonë, kanë mbetur të pazbatuara në plotninë e tyre

Më: 9 prill 2020 Në ora: 17:06
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se  12 vjetori i Kushtetutës së Kosovës atë e gjen në një situatë të rëndë për shkak të ballafaqimit me pandeminë COVID – 19.

Haxhiu me anë të një postimi në rrejtin social Facebooj deklaroi se do t’i kujtoj disa nene të Kushtetutës të cilat nuk gjejnë zbatim.

“Këto nene kanë të bëjnë pikërisht me vlerat mbi të cilat ndërtohet rendi kushtetues. Barazia, sundimi i ligjit, mosdiskriminimi, barazia gjinore e shumë parime të tjera, e për jetësimin e të cilave nevojitet shumë përkushtim dhe shumë punë. Nenet më të mira në Kushtetutën tonë, kanë mbetur të pazbatuara në plotninë e tyre. Kushtetuta nuk është formalitet në letër, ajo rregullon përmbajtësisht jetën e shoqërisë dhe shtetit”, ka shkruar Haxhiu.

Postimi i plotë:

Sot, 12 vjetori i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e gjen Kosovën në një situatë të rëndë për shkak të ballafaqimit me pandeminë COVID – 19.

Megjithatë, nuk kam, se si të mos i kujtoj disa nga nenet e Kushtetutës tonë e të cilat edhe përkundër faktit që kanë kaluar 12 vite, nuk gjejnë zbatim.

Këto nene kanë të bëjnë pikërisht me vlerat mbi të cilat ndërtohet rendi kushtetues. Barazia, sundimi i ligjit, mosdiskriminimi, barazia gjinore e shumë parime të tjera, e për jetësimin e të cilave nevojitet shumë përkushtim dhe shumë punë. Nenet më të mira në Kushtetutën tonë, kanë mbetur të pazbatuara në plotninë e tyre. Kushtetuta nuk është formalitet në letër, ajo rregullon përmbajtësisht jetën e shoqërisë dhe shtetit.

Edhe përkundër dispozitave kushtetuese në Kosovë nuk është mbërritur deri tek barazia para ligjit. Në vendin tonë ka ende shumë nevojë për ta parandaluar diskriminim në bazë të gjinisë e gjendjes ekonomike. Ligji në shumicën e rasteve ka gjetur zbatim vetëm për të dobëtit teksa janë mirëmbajtur pabarazitë ekonomike.

Edhe përkundër garancës kushtetuese, qytetarët presin efikasitet nga institucionet tona të drejtësisë dhe gjykimin të drejtë e në kohë të arsyeshme. Këtë duhet ta bëjmë së bashku.

Edhe përkundër vlerave e dispozitave afirmuese për vajzat dhe gratë në raport me përfaqësimin dhe përfshirjen, gjendja e vajzave dhe grave në Kosovë është e rëndë, ka diskriminime të thella e shtypje. Duhet ta themi me zë të lartë ashtu që çdo ditë ta kemi në prioritet si shoqëri e si institucione.

Edhe përkundër garancive për të drejtat e fëmijës, sot ka numër jo të vogël të fëmijëve në vendin tonë që janë të ekspozuar ndaj dhunës psiqike e fizike.

Qeveria ka ndryshuar dhe me punën tonë e angazhimin maksimal duhet të ndryshojë edhe gjendja në Republikën e Kosovës, duhet ta ndryshojmë për mirë cilësinë e jetës së qytetarëve përmes zhvillimit ekonomik e sundimit të ligjit. Ata duhet të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme. Duhet punë e angazhim për ta bërë Kosovën vend ku respektohen vlerat e përbrendësuara në Kushtetutën tonë.

Por edhe detyra jonë është që të krijojmë kushtet që brezat e ardhshëm të mbërrijnë në një kushtetutë edhe më të plotësuar edhe më të përshtatur në përputhje me të drejtat e tyre politike e universale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat