Malisheva në një muaj të karantinës

Kosova

Malisheva në një muaj të karantinës

Më: 14 prill 2020 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Sot një muaj, Komuna e Malishevës, është futur në karantinë të plotë, si pasojë e prezencës së virusit korona, apo siç e quajnë mjekët COVID-19. Qëllimi i futjes në karantinë është mbrojtja e shëndetit të popullatës dhe parandalimi i përhapjes së këtij virusi.

Bilanci i prezencës së këtij virusi në Komunën e Malishevës, është ky: 69 të prekur, prej tyre një person ka vdekur, ndërsa janë shëruar 15 persona. Pra kemi numrin më të madh të të infektuarve, e gjithashtu edhe numrin më të madh të të shëruarve në nivel vendi, dhe kjo është arsyeja se pse duhet ti zbatojmë këshillat e institucioneve përgjegjëse shëndetësore, për të qëndruar në shtëpi, kur të dalim ta ruajmë distancën sociale dhe të mos dalim pa nevojë, ndërsa pastrimi i shpeshtë i duarve është një mënyrë shumë efikase për tu mbrojtur. Pra, arma e vetme e suksesshme për ta luftuar virusin korona, është zbatimi i plotë i këshillave të dhëna për tu mbrojtur.

Me paraqitjen e rasteve të para, Komuna e Malishevës, e ka formuar shtabin emergjent për menaxhimin e situatës me COVID-19, si dhe kemi zbatuar të gjitha masat dhe vendimet qeveritare. Po ashtu është aktivizuar edhe Qendra Operative Emergjente Lokale në Malishevë, e cila është në shërbim 24 orë në ditë. Gjatë një muaji, jemi përkujdesur për të gjitha familjet në nevojë, e sidomos për familjet dhe personat e prekur me COVID-19, si në aspektin e sigurimit të ushqimeve, ashtu edhe për shërbimet shëndetësore, përmes ekipeve mobileve të cilat janë në shërbim 24 orë në ditë. Rol të madh në zbatimin e masave, janë duke luajtur edhe subjektet politike në Malishevë, të cilat pa rezervë po i përkrahin të gjitha masat.

Të qenit në karantinë dhe kufizimi i ushtrimit të veprimtarive bujqësore dhe biznesore, si dhe kufizimi i lëvizjes për qytetarët, pa dyshim që i ka pasojat e veta, pasi shumë biznese janë dëmtuar, shumë persona kanë mbetur pa punë, e po ashtu, do të dëmtohet edhe sektori i bujqësisë, por në fund të fundit, jeta dhe shëndeti i popullatës është mbi të gjitha.

Zbatimi i masave dhe këshillave për tu mbrojtur, na lehtëson daljen më të shpejtë nga kjo situatë, dhe rifillimin e jetës normale, duke ju kthyer punës dhe aktiviteteve tona të përditshme, prandaj, ju lusim të gjithëve, që këto ditë, të jemi shumë të kujdesshëm në zbatimin e këtyre masave dhe këshillave, për ta ruajtur jetën dhe shëndetin e familjarëve tanë dhe të gjithë vendit. Ne jemi një popull që kemi kaluar shumë sfida të rënda, prandaj jemi të sigurt që shumë lehtë mund ta kalojmë edhe këtë. Të jemi të durueshëm vetëm edhe pak, e pastaj të gjithë së bashku të vazhdojmë jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat