SBASHK-u: Të ndihmohet përfshirja e të gjithë nxënësve në mësimin nga larg

Kosova

SBASHK-u: Të ndihmohet përfshirja e të gjithë nxënësve në mësimin nga larg

Më: 15 prill 2020 Në ora: 14:59
Foto ilustrim

Sindikata e bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka apeluar të institucionet lokale e qendrore dhe të operatorët e telefonisë mobile, që të ndihmohen nxënësit të cilët kanë probleme me energji elektrike dhe ata që nuk janë të kyçur në rrjetin e internetit.

SBASHK-u përmes një komunikate, thekson se i kishte premtuar Ministres Hykmete Bajrami se do ta ketë mbështetjen e plotë në shërbim të arsimit dhe këtë e ka dëshmuar edhe në situatën e vështirë aktuale kur mësimi po zhvillohet nga larg.

“Në shërbim të kësaj përkrahjeje dhe të rrjedhës së mbarë të procesit mësimor në largësi, SBASHK-u ka organizuar takime nga larg me kryetarët e gjithë shoqatave sindikale të shkollave të Kosovës nga të cilët ka marrë informacione dhe vlerësime për rrjedhën e procesit mësimor, për arritjet, por edhe për pengesat e sfidat eventuale”, thuhet në njoftim.

SBASHK-u përgëzon gjithë anëtarësinë, gjegjësisht punëtorët arsimor që me përkushtim i janë qasur procesit mësimor nga larg dhe janë duke e realizuar atë në bashkëpunim e komunikim me nxënësit dhe prindërit.

“SBASHK-u në komunikim me gjithë anëtarësinë i ka inkurajuar ata që të vazhdojnë me përkushtimin dhe ka apeluar te ta që të ndihmojnë njëri-tjetrin në përvetësimin e punës me platformat e komunikimit, por edhe ka dëgjuar me kujdes nga ta se cilat janë vështirësitë eventuale me të cilat mësimdhënësit e Kosovës po përballen në përpjekjet për realizimin sa më të suksesshëm nga larg”.

“Ata kanë deklaruar se mësimi nga larg ka rrjedhë të mbarë dhe se e tërë kjo po arrihet falë angazhimit të nxënësve dhe bashkëpunimit me prindër, por disa nga ta kanë kërkuar që të ndihmohen në përfshirjen e të gjithë nxënësve në mësimin nga larg duke veçuar si pengesë ndërprerjen e shpeshtë të energjisë elektrike në disa pjesë të Kosovës, pastaj faktin se një numër nxënësish janë nga familjet me kushte më të vështira ekonomike, të cilat nuk janë të kyçura në rrjetin e internetit dhe prandaj ata, edhe përkundër vullnetit nuk mund të jenë vazhdimisht pjesë e procesit mësimor nga larg. Si pengesë një numër i punëtorëve të arsimit kanë veçuar edhe faktin se në një pjesë të vendbanimeve rurale nuk ka arritur rrjeti i internetit, apo se rrjeti është më i dobët”, thuhet tutje në njoftim..

SBASHK-u apelon të institucionet lokale e qendrore dhe të operatorët e telefonisë mobile që të ndihmojnë këta nxënës në mos duke i kyçur për sa zgjat mësimi nga larg në rrjetin e internetit, bile t’u dhurohen numra telefoni mobil dhe pako që mundësojnë kyçje në internet dhe me këtë edhe pjesëmarrjen në procesin mësimor nga larg.

“SBASHK-u në shenjë respekti për përkushtimin e Ministres Bajrami në shërbim të arsimit dhe në shenjë të bashkëpunimit korrekt e angazhimeve të përbashkëta ka informuar atë me rrjedhën e takimeve të organizuara nga SBASHK, për përkushtimin shembullor të punëtorëve arsimor në rrjedhën e mbarë të proceset mësimor nga larg dhe për kërkesat e tyre konkrete”.

SBASHK-u u drejtohet të gjitha palëve me apelin që të angazhohen e të ndihmohet përfshirja e të gjithë nxënësve në mësimin nga larg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat