Vetëm një rast me COVID-19 në Obiliq, zyrtarët e komunës japin detaje për gjendjen atje

Kosova

Vetëm një rast me COVID-19 në Obiliq, zyrtarët e komunës japin detaje për gjendjen atje

Më: 11 maj 2020 Në ora: 15:59
Ilustrim

Komuna e Obiliqit ka vetëm një rast të konfirmuar me virusin COVID-19. Ky rast u konfirmua mbrëmjen e së shtunës, kur IKSHPK publikoi rezultatet e mostrave të marra. Drejtoresha e Shëndetësisë në Obiliq, Vlora Kabashi, ka thënë për se e infektuara me koronavirus nga kjo komunë është punonjëse e një spitali privat në Prishtinë

Vetëm një rast të konfirmuar me virusin COVID-19 ka deri më tani komuna e Obiliqit.

Një punonjëse e një spitali privat në Prishtinë, është rasti i parë me koronavirus në Obiliq, komunë kjo e cila deri më datën 9 maj nuk kishte asnjë rast të konfirmuar.

Drejtoresha Vlora Kabashi, në një lidhje direkte për Express ka thënë se janë testuar familjarët e të infektuarës dhe të gjithë kanë rezultuar negativë.

“Gjendja është e qetë në komunën tonë, pavarësisht se me datën 9 është konfirmuar rasti i parë me COVID-19, e infektuara ishte punëtore e spitalit privat në Prishtinë, edhe pse nuk ka pasur asnjë shenjë, pas testit të bërë ka rezultuar pozitive. Dje po ashtu katër persona të familjes së ngushtë të të infektuarës janë testuar dhe te gjithë kanë dalë negativë. Pavarësisht kësaj, familja është izoluar”, ka thënë Kabashi.

Kabashi shtoi se janë duke u hulumtuar rastet e kontaktit të gruas së infektuar me COVID-19.

“E infektuara është duke e punuar një listë të personave që ka pasur kontakt, sot nuk kemi të dyshuar apo persona që do të testohen, për shkak se familja e ngushtë ka dalë negativ dhe nuk ka arsye. Deri më tani ky është rasti i parë i konfirmuar, më parë i kemi pasur 20 raste që i kemi testuar, por të gjithë kanë rezultuar negativë”, ka thënë Kabashi.

Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Prej këtyre mostrave të testuara, 14 kanë dalë pozitive.

“Sot më 10 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 200 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 14 raste”, thuhet në njoftim.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga Gjilani, Prizreni, Peja, Vushtrria dhe Prishtina.

Deri tani në gjithë vendin janë konfirmuar 884 raste me koronavirus. Prej këtij numri, 655 persona janë shëruar, derisa 28 kanë vdekur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat