Nga QKUK nuk japin detaje për vdekjen e 15-vjeçares, thonë se edhe Inspektorati Shëndetësor po e heton rastin

Kosova

Nga QKUK nuk japin detaje për vdekjen e 15-vjeçares, thonë se edhe Inspektorati Shëndetësor po e heton rastin

Më: 18 maj 2020 Në ora: 14:13
QKUK

Ende i paqartë mbetet shkaku i vdekjes së Anita Mehmetit, 15-vjeçares nga Drenasi, ndërsa nuk ka ndryshuar bindja e babait të saj, Rrahim Mehmetit se vajza vdiq si pasojë e neglizhencës së mjekëve.

Pasi Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet, Gazeta ka pyetur në QKUK-në dhe SHSKUK-në nëse dikush nga persneli shëndetësor është intervistiauar për këtë rast.

Nga drejtoria e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), kanë refuzuar të përgjigjen, duke thënë se kanë kërkuar që me rastin të merret edhe Inspektorati Shëndetësor.

“Në lidhje me interesimin tuaj, ju njoftojmë se për shkak të hetimeve që janë duke u bërë nga Prokuroria nuk mund të ju japim detaje”.

“ShSKUK ka kërkuar që me rastin të merret edhe Inspektorati Shëndetësor”, thuhet në përgjigje.

Babai i 15-vjeçares, Rrahim Mehmeti, për vdekjen e të bijës po i akuzon mjekët e Klinikës së Pediatrisë dhe ata të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, të cilët thotë se nuk e kanë marrë parasysh gjendjen e Anitës.

Në një prononcim për Gazetën Rrahim Mehmeti të premtën tha se vajzën e ka dërguar në QKUK për tre ditë dhe për tre ditë me radhë thotë se është “shëtitur” nga Kirurgjia e Fëmijëve në Pediatri, pa e ndihmuar askush.

Prokuroria Themelore e Prishtinës të shtunën ka thënë se ka nisur hetimet për këtë rast, ndërsa Rrahim Mehmeti dje e ka dhënë një deklaratë në Polici lidhur me rastin e vdekjes së vajsës.

Shkaku i vdekjes së 15-vjeçares është bërë edhe më vështirë për t’u konstatuar, pasi babai i vajzës ka refuzuar që trupit të pajetë të Anitës t’i bëhet obduksioni.

“Unë nuk i lejova me ia bo autopsinë, e kemi marrë trupin. Ku me leju se ata sa ke gjallë çika nuk e merrshin në dorë, çka me leju me ma pre aty çikën”, kishte thënë Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat