Filloi asfaltimi i rreth dy kilometrave rrugë në Bardh të Malishevës

Kosova

Filloi asfaltimi i rreth dy kilometrave rrugë në Bardh të Malishevës

Më: 30 maj 2020 Në ora: 14:30
Bardh të Malishevës

Në kuadër të realizimit të projekteve kapitale dhe ndërtimit e rregullimit të infrastrukturës rrugore në fshatrat dhe vendbanimet e Komunës së Malishevës, pas hapjes dhe përgatitjes së katër rrugëve në fshatin Bardh, sot ka filluar edhe asfaltimi i këtyre rrugëve, duke e përmbyllur kështu rregullimin e pjesës më të madhe të rrugëve në këtë fshat të thellë të Komunës së Malishevës.

Në fillimin e asfaltimit të këtyre rrugëve, ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe nënkryetari Hajdin Berisha, të cilët janë pritur nga anëtari i asamblesë komunale nga ky fshat, Valon Krasniqi, kryetari i Bardhit, Selman Krasniqi dhe qytetarë të shumtë.

Me këtë rast, kryetari Begaj, i ka uruar banorët e Bardhit, përkatësisht të lagjeve në të cilat sot filloi edhe asfaltimi i rrugëve, pasi ndërtimi i rrugëve ka qenë jetike për banorët dhe kjo ju lehtëson jetesën. “Ndërtimi i këtyre rrugëve ka rëndësi jetike për ju të gjithë, pasi për shkak të relievit dhe thellësisë së fshatit, jetesa ka qenë më e vështirë në këto kohë moderne. E di që rregullimi i rrugëve, jo vetëm qe lehtëson jetesën tuaj, por parandalon edhe shpërnguljen nga fshati, si rezultat i rrugës, dhe prej sot, të gjitha lagjet e fshatit lidhen me rrugët kryesore dhe ne gjithashtu ndihemi mirë, pasi kemi arritur që ta përmbushim këtë nevojë për banorët e Bardhit”, tha mes tjerash kryetari Begaj, pasi i uroi të gjithë banorët për rrugët e reja.

Nga ana tjetër, edhe banorët e kanë falënderuar komunën për ndërtimin e këtyre rrugëve, pasi rregullimi i tyre ka rëndësi jetike për të vazhduar jetesën në këto lagje të thella.

Ndërtimi i rrugëve, është mundësuar nga buxheti i Komunës së Malishevës, ndërsa këto katër rrugë kanë një gjatësi prej 1870 metrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat