Edhe kryetari i Shtimes kërkon nga prindërit të mos i dërgojnë nesër fëmijët në çerdhe

Kosova

Edhe kryetari i Shtimes kërkon nga prindërit të mos i dërgojnë nesër fëmijët në çerdhe

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 00:20
Naim Ismajli

Kryetari i Komunës së Shtimes Naim Ismajli, nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar nga prindërit që mos t'i dërgojnë fëmijët në çerdhen publike “Albiona Asllani” në Shtime derisa Qeveria e Kosovës nuk i ka njoftuar zyrtarisht për hapjen e këtyre institucioneve.

"Sot në konferencën për media të Qeverisë në largim, u fol për rihapjen e Institucioneve Parashkollore, mosha 0 – 5 dhe u përmenden dy data, 1 qershor dhe 8 qershor 2020. I njoftojmë prindërit, që fëmijët e tyre të cilët vijojnë në Institucionin Parashkollor ‘Albiona Asllani’ në Shtime, se ky vendim është marrë pa konsultim me Komunat dhe kryetarët e Komunave dhe se ne deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë informatë zyrtare për funksionimin dhe rregullat që do të zbatohen lidhur me këtë çështje", ka thënë Ismajli.

Sipas tij, komuna e Shtimes pret që Ministria e Arsimit të qartësojë situatën dhe rregullat për rihapjen e kopshteve publike, andej shpresojnë që sa më parë ta kenë një informatë zyrtare.

"Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në Institucionin Parashkollor, deri në marrjen e një vendimi dhe rregullat nga niveli qendror (MASHT), si akter kryesor dhe bartës i këtij procesi", ka thënë Ismajli.

Një kërkesë të tillë drejtuar prindërve e ka pasur edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat