Nga sot rihapen kufijtë tokësorë të Kosovës

Kosova

Nga sot rihapen kufijtë tokësorë të Kosovës

Më: 1 qershor 2020 Në ora: 05:51

Nga e hëna në Kosovë fillon zbatimi i periudhës së re të lehtësimit të masave kufizuese të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha së qeveria shfuqizoi vendimin për mbylljen e kufijve të Kosovës, “por, të gjithë personat që hyjnë në vend detyrohet t'u nënshtrohen kontrolleve mjekësore në kufi dhe t'i zbatojnë masat kundër Covid-19",.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se ata që hyjnë nuk do të detyrohen t’i nënshtrohen karantinës 14 ditëshe.

Ai tha se nga e hëna “hapen kufijtë tokësorë në pikat kufitare: Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë”, ndërsa ata që hyjnë në Kosovë “dhe posedojnë rezultat negativ për testin COVID-19, jo më të vjetër se katër ditë, nuk u nënshtrohen procedurave të vetizolimit. Ata që nuk e kanë testin detyrohen të vetizolohen për shtatë ditë”, tha ai.

Autoritetet thanë se pas një jave do të shqyrtohet edhe mundësia e hapjes së kufijve ajror, ndërsa deri me 20 qershor do të bëhet rivlerësimi i situatës epidemiologjike dhe rrjedhimisht i masave lidhur me hyrjen e qytetarëve në territorin e Kosovës.

Ndërkaq me propozim të ministrisë së Arsimit, të hënën fillojnë punën edhe një pjesë e institucionet arsimore.

“Kopshtet dhe çerdhet për moshat nga 0-5 vjeç, në institucionet publike e private të nivelit parashkollorë. Organizimi i ambientit dhe përgatitjet për testimin e arritshmërisë me klasat e nënta, kthimi i klasave të nënta në shkollë prej datës tetë qershor e deri me 19 qershor me qëllim të mbajtjes së testit me datën 23 qershor 2020. Organizimi i ambientit dhe përgatitja për testin e maturës me nxënësit e klasave të dymbëdhjeta, kthimi i këtyre nxënësve në shkollë prej 15 qershorit deri me 30 qershor dhe mbajtja e testit të maturës deri me katër korrik”, tha ministri Vitia.

Me vendim të qeverisë nga nesër fillojnë punën edhe taksitë, barnatoret, kafenetë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare, ndërsa “puna e tyre do të përcillet me kujdes të posaçëm nga inspektorët për të siguruar respektimin e rekomandimeve të Institutit të Shëndetit Publik”, meqë rreziku nga koronavisuri është ende i pranishëm.

“Sot bashkë me këto njoftime për normalitetin e ri para nesh, ju themi qytetarë të dashur se rreziku nuk ka kaluar. Ju e dini që as barna as vaksinë nuk ka akoma sepse ende nuk është zbuluar, por tani ne e dimë se rrezikun që na rrethon mund ta organizojmë me këtë përvojë të krijuar. Vendi ynë padyshim që rrezikohet nga valë të reja të infektimit, gjithçka varet nga sjellja e përgjithshme e secilit nga ne”, tha zoti Vitia.

Qeveria e Kosovës që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, vendosi masa kufizuese për të penguar zgjerimin e koronavirusit i cili deri tani ka prekur një mijë e 83 persona, 30 prej të cilëve kanë humbur jetën ndërkaq 843 të tjerë janë shpallur të shëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat