Nxënësit e fshatit Lladrovc të Malishevës tash e tutje do të kenë mundësi që të ndjekin mësimet në kushte shumë më të mira, pasi që sot është përuruar objekti i ri i shkollës fillore të mesme të ulët “Afrim Buçaj”.
Kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj, tha se kjo shkollë, e cila mban emrin e dëshmorit Afrim Buçaj, ofron kushte moderne për nxënësit, gjë e cila do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë në arsim.
Begaj: Kemi krijuar kushte më të mira për mbarëvajtjen e procesit mësimor
“Në këtë ditë të përurimit të shkollës, në këta emra të shenjtë të dëshmorëve, e që besoj që do ta shoqërojnë afrimin gjatë gjithë jetës tonë...Po besoj që tani kemi krijuar kushte më të mira për mbajtje të mësimit, nuk kam dyshim në këta profesor të Lladrovcit që do ta bëjnë punën ashtu siç e kanë bërë përherë për arsye se pa ngritje të cilësisë së arsimit nuk ka ngritje në vend, këtu e kemi bazën...Të jepni maksimumin sepse e kemi borxh lapidarit që po na rrinë afër aty, për të punuar me gjeneratat që vinë”, tha ai.
Drejtori i ShFMU “Afrim Buçaj” Mursel Zogaj, tha se shkaku i pandemisë COVID-19, përurimi i objektit të kësaj shkolle me infrastrukturë bashkëkohore po bëhet pa ndonjë organizim të veçantë.
Zogaj: Edhe një shkollë e re në komunën e Malishevës
“Jemi këtu në këtë kohë të pazakontë të pandemisë, pa nxënës, ftesa për familje të dëshmorëve dhe pa program artistik të nxënësve, e që për ne kjo është pak e pa dëshirueshme, për të përuruar një objekt të ri të diturisë, me një infrastrukturë të modeleve të shkollave bashkëkohore...Edhe një shkollë e re në komunën e Malishevës, kjo dëshmon se kryetari i komunës dhe insistimi i tij ka investuar në objekte shkollore... Ne së bashku me strukturat e shkollës këtë objekt do ta mirëmbajmë për gjeneratat e ardhshme, por i bëjmë thirrje prindërve të jenë më aktivë në bashkëpunim”, tha ai.
Për shkak të pandemisë Covid-19 edhe në këtë shkollë nuk do të fillojë procesi mësimorë, deri në një vendim të radhës.