Vushtrri: 40 persona sot presin rezultatet për Covid-19

Kosova

Vushtrri: 40 persona sot presin rezultatet për Covid-19

Më: 14 qershor 2020 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme në qytetin e Vushtrrisë konfirmuar edhe 18 raste të reja me Covid-19. E gjatë ditës së sotme në Vushtrri pritet që të testohen edhe 27 persona të tjerë. Të gjithë këta janë raste kontakti me personat e infektuar ditë më parë me Covid-19 në Vushtrri.

Kurse rezultatet pritet të dalin edhe për 13 persona të tjerë të cilët kanë rezultuar pozitiv në dy testimet e para.

E dje në Kosovë janë konfirmuar 53 raste të reja me Covid-19.

“Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 18 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Stanovc i epërm, 4 raste Vushtrri, 1 rast Gllavotin, 1 rast Maxhunaj dhe 1 rast Dumnicë e poshtme), komuna e Prishtinës 18 raste (sipas vendbanimit: 18 raste Prishtinë), komuna e Istogut 11 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Shushicë), komuna e Rahovecit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Fushë Kosovë, Skifteraj-Viti dhe Pejë”, thuhej në njoftimin e IKSHPK’së.

E sot një grua nga komuna e Prizrenit ka vdekur të dielën si pasojë e virusit COVID-19, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës.

“Klinika Infektive e QKUK-së ka njoftuar se sot me datë 14.06.2020, në këtë klinikë ka ndërruar jetë pacientja R.M. (1944) nga komuna e Prizrenit. Pacientja ishte në trajtim në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike dhe ishte e diagnostikuar me COVID-19 si dhe kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.

Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur 33 pacientë të infektuar me koronavirusin e ri.

Përmes një njoftimi në Facebook, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 40 raste me COVID-19, ndërsa 12 raste janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Në repartin e mjekimit intensiv është duke u trajtuar një paciente në gjendje kritike me frymëmarrje të asistuar dhe përkujdesje intensive, thuhet në njoftim.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 1,437.

Prej tyre, 928 pacientë janë shëruar dhe 33 kanë vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat