​Vushtrria 22 raste të reja me COVID-19, Tahiri: Mos pranoni vizita familjare

Kosova

​Vushtrria 22 raste të reja me COVID-19, Tahiri: Mos pranoni vizita familjare

Më: 14 qershor 2020 Në ora: 21:49
Xhafer Tahiri

Vushtrria vazhdon komuna me më së shumti raste me koronavirus në nivel vendi.

Në 24 orët e fundit në këtë komunë janë konfirmuar edhe 22 raste të reja. E kjo gjendje vazhdon të shqetësojë të parin e komunës Xhafer Tahiri i cili u ka bërë thirrje serish qytetarëve që të respektojnë masat e institucioneve shëndetësore kundër përhapjes së COVID-19.

“Më shqetëson tepër shumë numri i madh i infektimeve brenda të njëjtës familje. Kjo dukuri e ka rritur shumë numrin e rasteve. Ju lutemi kujdes ruani familjet tuaja. Me mbajt maskë nuk është marre, me pas virusin po ashtu nuk është marre, me përhap virusin rrezikon jetën e tjetrit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme rritjen e numrit të policëve në Stacionin e Policisë në Vushtrri për të rritur mbikëqyrjen e personave në vetizolim, teksa nga MSH po ashtu ka kërkuar rritjen e personelit shëndetësor në QKMF dhe personel shtesë në inspektoratin sanitar.

“Toleranca është zero për bizneset që nuk respektojnë masat. Për fat të mirë, pak qytetarë kemi pasur të infektuar në bizneset e Vushtrrisë. Numri më i madh i infektimeve po ndodhë brenda familjeve për shkak të vizitave familjare. Tashmë është konfirmuar që ndejat në fund të Ramazanit dhe vizitat për Bajram e kanë rritur numrin e rasteve. Numri po vazhdon me u rritë sepse po vazhdojnë vizitat.
Prandaj duhet të ndërgjegjësohemi, nuk është koha për ndeja familjare, mos i beso akujt, mos ia jep virusin familjarëve, mos shko askund e mos prano askënd në vizitë”, porosit Tahiri.

Ndryshe, rastet e reja me COVID-19 në Vushtrri janë raste kontakti. Aktualisht kjo komunë ka 154 raste aktive, 40 të shëruar dhe dy të vdekur, ndërkohë që një numër i madh i qytetarëve e kanë kaluar kohën e shërimit dhe pritet ritestimi i për konfirmim të shërimit të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat