​17 raste të reja me Covid-19 në Rahovec, Smajl Latifi paralajmëron inspektime më të mëdha

Kosova

​17 raste të reja me Covid-19 në Rahovec, Smajl Latifi paralajmëron inspektime më të mëdha

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 17:22
Smajl Latifi

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar në komunën e tyre janë 17 raste aktive me Covid-19, derisa sot e nesër presin edhe rezultatet e kontakteve të këtyre rasteve të konfirmuara.

Latifi ka thënë, se që nga paraqitja e rasteve të para në këtë komunë e deri tash, kanë pas 54 raste të konfirmuara me Covid-19, ku prej tyre kanë vdekur katër persona, të cilët kanë qenë në moshë dhe kanë pas sëmundje përcjellëse. Ndërsa, janë shëruar 33 persona.

“Gjenda shëndetësore e 17 rasteve që i kemi aktive është e mirë, është stabile, kryesisht janë pa sintoma dhe nuk ka ndonjë informatë që gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet. Ndërsa, ne sot ose nesër presim marrjen e mostrave të reja të rasteve të fundit, që sigurisht janë kontakte potenciale, që ata që janë të konfirmuar me Covid , kontaktet e tyre shpresojmë që do të testohen së shpejti dhe të shpresojmë që do të dalin negativë”, tha ai.

Ai tha se në kuadër të zbutjes së masave, po përpiqen që ta rrisin kontrollin rreth zbatimit të manualit të ri që dje kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik.

“Sigurisht që do të kemi edhe ashpërsim të kontrollit të qytetarëve që vijnë për të marrë shërbime në komunë e Rahovecit. Sigurisht që do të kemi edhe aksione serioze të inspektorëve tanë, që do të mbështetet nga Policia e Kosovës. Edhe kjo konsiderojmë që është në frymën e përpjekjeve për respektimin më rigoroz të masave, rekomandimeve të ditëve të fundit për shkak se po shihet që virusi ekziston dhe derisa ekziston në mesin tonë, ne nuk kemi rrugë tjetër përveç të përpiqemi maksimalisht t’iu përmbahemi udhëzimeve, rekomandimeve dhe vendimeve të institucioneve shëndetësore”, tha ai.

Sipas tij, në vazhdimësi po bëjnë dezinfektimin e institucioneve dhe hapësirat e tjera publike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat