Një zyrtar i komunës së Rahovecit i prekur me koronavirus - Bota Sot
Një zyrtar i komunës së Rahovecit i prekur me koronavirus

Kosova

Një zyrtar i komunës së Rahovecit i prekur me koronavirus

Më: 23 qershor 2020 Në ora: 12:36
Foto ilustrim

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se një zyrtar i kësaj komune është i prekur me virusin COVID-19, i cili ka komplikime serioze shëndetësore.

Latifi tregoi se zyrtari aktualisht është me oksigjeno-terapi në Klinikën Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas tij, në Komunën e Rahovecit aktualisht 20 persona janë aktiv të infektuar me virusin COVID-19, ndërsa numri i përgjithshëm i të prekurve nga fillimi i pandemisë, është 58.

“Aktualisht kemi 20 raste aktive me COVID-19. Kemi pesë qytetarët të cilët kanë ndërruar jetë me ketë virus, por nuk është shkaku i vdekjes virusi, por sëmundjet tjera. Kemi 33 raste të shëruara. Nga fillimi i pandemisë dhe deri më sot kemi 58 raste që kanë qenë me COVID-19, ku 20 aktualisht i kemi aktiv. Nga pikëpamja e profesionistëve shëndetësor, duket që është shqetësuese. Përveç një qytetari i cili është zyrtar i kësaj komune i cili ka komplikime serioze dhe është i shtruar në dhomën intensive, me oksigjen në Klinikën Infektive, të gjithë të tjerët kanë gjendje stabile. Zyrtari i kësaj komune është traume dhe në oksigjen”, ka thënë Latifi në Dukagjin.

Kryetari i kësaj komune, po ashtu tha se rritja e numrit të rasteve vjen si pasojë e lirimit të masave.

“Vështirë është të themi që pas zbutjes së plotë të masave dhe pas një mbyllje prej 2 muaj e gjysmë, qytetarët tanë kanë lëvizur më lirshëm dhe kjo mund të themi që është arsyeja që është rritur numri i rasteve. Shpresojmë që do ta kalojmë këtë pandemi, e posaçërisht zyrtari komunal që është i shtrirë në Klinikën Infektive ta përballoj dhe të kthehet sa më shpejt”, tha ai.

Ndërkaq, ai shtoi se gjendja momentale në Komunën e Rahovecit është e menaxhueshme.

“I kemi marr masat që ta mirëmbajmë gjendjen dhe të mos lejojmë përhapjen e virusit në komunën tonë. Edhe manuali për luftimin e COVID-it si dhe rekomandimet e IKSHPK-së, po zbatohen më mirë”, tha ndër të tjera kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat