Shterojnë puset në fshatrat e Klinës, komuna u dërgon ujë banorëve me cisternë

Kosova

Shterojnë puset në fshatrat e Klinës, komuna u dërgon ujë banorëve me cisternë

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 14:11
Ilustrim

Javën e kaluar shumë vende në Kosovë u ndodhën para përmbytjes për shkak të reshjeve të shiut që ranë pandërprerë rreth 20 orë. Por, në shumë vende nuk ra asnjë pikë shi.

Nrec Lekaj nga fshati Cerovik i Klinës po e shikonte serën e mbjellur me perime, por nuk e di nëse frytet do të arrijnë të piqen. Ai tregon se në këtë fshat nuk ka rënë shi asnjëherë gjatë këtij viti, siç thotë ai “për ta ngirë tokën”, shkruan lajmi.net.

“Frytet janë mirë, por zor se do të piqen, do të thahen shumë shpejtë. Nuk ka ujë për t’i vaditur. E keqja është se nuk ka ujë as për higjienë. Në krejt Kosovën po bije shi nga pak, por në këtë rajon asnjë pikë”, thotë Lekaj.

Ai tha se para dy javëve i është dashur të blejë ujë, e njëherë u ka ndihmuar Komuna.

“Për të pirë e blejmë ujin, por për higjienë shumë problem. Nuk ka shteru asnjëherë si sivjet bunari. Para dy jave e kam blerë një cisternë uji 15 euro, ma kanë zbrazë në bunarë. Por, dje ma ka sjellë Komuna e Klinës një cisternë”, tregon ai për lajmi.net.

Sikur Ceroviku po përballën edhe shumë fshatra tjerë të Komunës së Klinës.

Iber Elezaj, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente në Komunën e Klinës tha për lajmi.net se situata ka filluar të bëhet serioze. Ai tregon se Komuna po mundohet t’u dal në ndihmë banorëve duke dërguar nga një cisternë me ujë, të cilën po ua zbrazë në puse.

“Gjatë kohës së karantinës ka mjaftuar një sms me telefon dhe ne e kemi dërguar një cisternë me ujë tek kërkuesit. Tash duhet që pala të bëjë një kërkesë në komunë, në mënyrë që të dërgojmë ujin. Numri i atyre që po aplikojnë po rritet dita ditës. Keq me ujë qëndrojnë fshatrat si Gllarva, Rigjeva, Ceroviku, Gjergjoviku, Shtopeli e shumë tjera Ne e kemi një cisterne 8 metër kub. Mesatarja është 5 cisterna uji që i dërgojmë tek nevojtarët. Ujin është i pijshëm, e mbushim në hidrant tek zjarrfikësit, ose e mbushim tek fabrika e ujit”, tha drejtori Elezaj.

Ditëve të fundit temperaturat e larta e kanë prekur edhe Kosovën. Kjo shpërfaq rrezikun për mungesën e sasisë së mjaftueshme të ujit të pijshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat