Në laboratorin e QKMF në Podujevë kryhen testet për Covid19 - Bota Sot
Në laboratorin e QKMF në Podujevë kryhen testet për Covid19

Kosova

Në laboratorin e QKMF në Podujevë kryhen testet për Covid19

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 14:51
Këshilli Komunal

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme është informuar për gjendjen e sigurisë në Komunë si edhe me gjendjen e krijuar nga pandemia Covid-19 dhe ka shqyrtuar çështje të tjera, që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka shqyrtuar raportin e Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në Komunë gjatë muajit të fundit; informatën lidhur me gjendjen e krijuar nga pandemia Covid-19 në Komunën e Podujevës; informatën dhe diskutimet për projektet (të infrastrukturës dhe të shërbimeve) që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve dhe informatën për dukuritë negative dhe masat sensibilizuese kundër tyre (përdorimi i narkotikëve, vjedhjet, dhuna etj.)

Lidhur me gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Zogiani, tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë dhe se situata gjatë pandemisë me Covid-19 është duke u menaxhuar mirë, falë bashkëpunimit me të gjitha organet dhe institucionet komunale.

Gjendjen e sigurisë e kanë vlerësuar të mirë edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së. Përfaqësuesi i KFOR-it ka lavdëruar punën e mirë të Policisë së Kosovës dhe institucioneve shëndetësore.

Nënkryetari Rudari me këtë rast përmendi vizitën e një dite më herët të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe drejtorit të IKSHPK, Naser Ramadani, të cilët publikisht kanë falënderuar Shtabin emergjent komunal për bashkëpunimin dhe menaxhimin e mirë të situatës me pandeminë Covid-19.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Zaim Thaçi, duke raportuar për gjendjen aktuale me pandeminë Covid-19, tha se që nga paraqitja e rasteve të para, deri më tani në komunën e Podujevës, janë kryer mbi 300 teste për Covid-19, prej të cilave kanë rezultuar pozitivë 48 persona, prej tyre 23 janë shëruar, kurse një person ka ndërruar jetë.

Drejtori Thaçi tha se në të gjitha rastet që kanë rezultuar pozitivë, ekipi emergjent, bashkë me policinë i ka vizituar familjet, ku është kryer kontrolli mjekësor dhe është bërë dezinfektimi i objekteve të banimit.

Më tej ai ka thënë se ekipi emergjent i asistencës sociale është përkujdesur që të sigurojë pako ushqimore dhe higjienike për familjet e prekur me Covid-19.

Ndërsa, nënkryetari Rudari tha lajm i mirë për qytetarët e Komunës së Podujevës është se prej sot më nuk do të kenë nevojë të shkojnë në Prishtinë për kryerjen e testeve për Covid-19, pasi që për të gjitha rastet e dyshuara mostrat e testit do të merren në laboratorin e QKMF në Podujevë.

Nënkryetari Rudari duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e treguar në menaxhimin e deritashëm të situatës me koronavirus, apeloi që të zbatojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të IKSHPK për aplikimin masave mbrojtëse, të përfshira edhe në Manualin për mbrojtje nga Covid-19.

KKSB në takimin e sotëm diskutoi edhe për projektet ( të infrastrukturës dhe të shërbimeve) që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve, që mund t’i propozohen drejtorive për miratim në Kuvendin Komunal, gjatë periudhës së miratimit të buxhetit të komunës.

Lidhur me këtë çështje drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, i cili tha se do të vazhdohet me projekte infrastrukturore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve. Në këtë aspekt, ai tha se sivjet janë planifikuar rreth 42 km ndërtim i rrjetit të ndriçimit publik, kurse vitin e ardhshëm është planifikuar të përfshihen 40 fshatra në ndriçim publik. Më tej ai përmendi edhe projekte të ndërtimit të trotuareve, urave, rregullimit të shtretërve të lumenjve dhe vazhdimin e projektit të vendosjes së kamerave të sigurisë.

KKSB në takimin e sotëm diskutoi edhe për dukuritë negative dhe masat sensibilizuese kundër tyre (përdorimi i narkotikëve, vjedhjet, dhuna etj.)

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat