Banorët e lagjes “Qendra” protestojnë kundër zhurmës së kafiterive dhe çmimeve të parkingut - Bota Sot
Banorët e lagjes “Qendra” protestojnë kundër zhurmës së kafiterive dhe çmimeve të parkingut

Kosova

Banorët e lagjes “Qendra” protestojnë kundër zhurmës së kafiterive dhe çmimeve të parkingut

Më: 3 korrik 2020 Në ora: 15:36
Protesta

Një numër i banorëve të Prishtinës, sot kanë protestuar lidhur me vendimin e Komunës së Prishtinës për ndërmarrjen “Prishtina Parking”, ku sipas rregullores së re, për banorët e lagjes, pagesa parashihet të jetë 10 euro muaji, për biznese 45 euro, ndërsa për qytetarët të cilët nuk janë pjesë e lagjes 1 euro ora.

Pasi që nuk kishin marrë përgjigje nga Komuna e Prishtinës, me peticionin i cili përmbante 82 nënshkrime, banorët vendosën të dalin në protestë, derisa bëjnë thirrje, që nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, protestat do të vazhdojnë.

Sikur të mos i mjaftonte problemi me parkingjet, banorët e qendrës, thonë se janë në “hall” edhe me zhurmën e kafiterive.

Qytetari Shefki Ukaj, i cili banon në rrugën “Rexhep Luci”, ka thënë se vetëm në vendin tonë ndodh që objektet e banimit t’i shndërrojnë në kafiteri, derisa ka shtuar se parkingjet që komuna pretendon t’i kthejë me pagesë, duhet të ketë parasysh që në atë zonë, nuk është parking publik.

Ukaj: Jetojmë në mes të benzinës dhe naftës

“Ne këtu jetojmë në mes të benzinës dhe naftës, së pari askund nuk ka në asnjë qytet evropian, nuk ke që edhe ndërtesat banesore i kanë shndërruar në kafiteri, sa është problem parkingu që ky nuk është parking publik. Komuna po do të krijojë në njëfarë mënyre të pagujamë, ky së pari nuk është parking publik, komuna në rend të parë duhet të na krijojë gjelbërim, ne jetojmë në beton. Na kanë sjellë në atë gjendje që ne me i marrë çelësat e banesave dhe me t’i dorëzojmë në komunë, me thanë që ne nuk kem qetësi, nuk kemi siguri. Madje këto ditë po mendojmë të pagujmë kompani private me na mbrojtë jetën tonë... Komuna e ka lëshuar, nuk funksionon më, të gjitha hapësirat janë uzurpuar”, ka thënë ai.

Banorja tjetër, Violeta Hasani, ka deklaruar se komuna e Prishtinës, nuk ka diskutuar me banorët lidhur me taksën e parkingut në zonën “Qendra”, derisa theksoi se banorët do të përdorin çdo mjet për ta ndaluar këtë realizimin e këtij plani.

Hasani: Pakënaqësi lidhur me taksën e parkingut të zonës “Qendra”

“Protesta e sotme është një protestë simbolike, për pakënaqësitë e banorëve dhe bizneseve, lidhur me taksën e parkingut të zonës ‘Qendra’, që ka vendosur ‘Parking Prishtina’, me ju vendos banorëve të lagjes për banorë 10 euro muaji, vetura e dytë 45 euro, ndërsa për biznese 45 euro, për punëtorin e biznesit 30 euro, kurse për njerëzit që vijnë nuk janë pjesë e lagjes ‘Qendra’ 1 euro ora, pra më lirë e kanë ata që vijnë se sa ne si banorë. Nuk e di se si mundët të marrë Komuna e Prishtinës këtë vendim, pa diskutuar me banorët... Si jam e njoftuar prej banorëve dhe bizneseve kanë me përdorë çdo forcë për të ndaluar këtë ‘Parking Prishtina’”, ka thënë Hasani.

Mendim të njëjte, ndanë dhe banori Xhevat Shkodra.

Shkodra: Duhet të kapim “stupcin” në dorë dhe me dal me zgjidh fatin vet

“Nuk është protestë që po bëhet për herë të parë, është protestë e përsëritur disa herë, e që fatkeqësisht deri tash edhe më tutje nuk ka gjet përkrahje as të institucioneve përkatëse e as komunale dhe as atyre të nivelit tjetër që i ka dhënë lejet me funksionu këto forma të bizneseve të pa kontrolluara, të pa përcjellura se çka po bëhet me banor. Më luftë e madhe është tash se sa që e kishim koronavirusin. Jemi ardh në pozitë që nuk po dimë ka të mbajmë, apo duhet të kapim “stupcin” në dorë dhe me dal me zgjidh fatin vet”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, në protestë u pa edhe asambleisti i PSD-së në Kuvendin e Prishtiës, Adrian Berisha, i cili u kritikua nga qytetarët se nuk ka mbajtur asnjë premtim, që i ka dhënë këtyre të fundit.

Berisha, që tha se rastësisht u gjend para protestuesve, ndaloi për t’i sqaruar protestuesit se si ka ardhur deri te çmimi i parkingjeve.

Berisha: Erdha për të informuar rreth çmimit të parkingjeve

“Unë veç desha t’ju informoj, ju kërkoj ndjesë, janë edhe nja 50 të tjerë që nuk ja ndjenë fare...Unë nuk jam ekzekutiv, ekzekutivi është me zgjidh probleme. Veç erdha të informoj se si ka ardhur deri te çmimi i parkingjeve. Ju si qytetarë keni votuar për 51 përfaqësues edhe ata e kanë votuar, tash ti ki drejt si qytetar të ankohesh, por 51 asamblistë, përfaqësues të qytetit e kanë miratuar këtë çmimore”, ka thënë ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat