Sëmundjet ngjitëse, sfidë për Kosovën - Bota Sot
Sëmundjet ngjitëse, sfidë për Kosovën

Kosova

Sëmundjet ngjitëse, sfidë për Kosovën

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 15:45
Foto Ilustrim

Pandemia me COVID-19, ka marrë gjithë vëmendjen në mbarë botën. Megjithëkëtë përpos pandemisë, Kosova prej vitesh përballet edhe me sëmundje ngjitëse, e që po vazhdon të jetë problem me të cilin po përballen profesionistët shëndetësorë.

Në Kosovë me sëmundje ngjitëse, infektohen rreth 100,000 njerëz në vit. Të dhënat për sëmundje i mbledh Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Sëmundjet ngjitëse në vend janë fruthi, tularemia, ethet hemorragjike- krime kongo, rotavirusi, gripet sezonale, tularemia, virusi i Nilit perëndimor etj.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 68 njerëz kanë humbur jetën nga sëmundjet ngjitëse në vitin 2017, që është edhe viti i fundit kur ky institucion i ka mbledhur këto statistika.

Ndryshe Kosova nuk e ka një sistem të referimit shëndetësor, dhe rrjedhimisht nuk ka të dhëna të sakta për asnjë sëmundje.

Infektologu Sali Ahmeti, tha se disa sëmundje ngjitëse në Kosovë janë autoktone, porse ka edhe të importuara.

‘’Sëmundjet ngjitëse shpesh manifestohen edhe në forma të rënda dhe përballja me to është mjaft sfiduese, derisa ka raste kur vdekshmëria është e pashmangshme.  Në Klinikën Infektive  të Qendrës Klinike Universitare të Kosovë, përballemi me sëmundje të ndryshme –nga ato më të zakonshmet e deri tek ato më të rralla apo të veçanta.

Për herë të parë në dhjetëvjetorin e fundit kemi pasur forma të malaries, që persona që kanë ardhur nga bota e jashtme e kanë sjellë sëmundjen, pastaj ka qenë virusi i Nilit perëndimor. Pra, këto janë sëmundje ngjitëse të reja, e që ne jemi ballafaquar me to’’, tha Ahmeti.

Ndër të tjera Ahmeti përmend edhe ethet hemorragjike krime kongo,  e që këtë sëmundje e shkakton pickimi i rriqrave, sëmundje kjo autoktone.

Vetëm gjatë këtij viti, sipas të dhënave të grumbulluara në Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës janë raportuar gjithsej mbi 2 mijë raste të pickimeve nga rriqrave në Kosovë.

Ndërkaq tashmë një person në Kosovë ka vdekur nga ethet hemorragjike.

‘’Kosova njihet si vend endemik për disa sëmundje infektive, me një prevalencë dhe incidencë të lartë, duke përfshirë vdekshmëri. Në mesin e tyre janë ethet hemorragjike – krime kongo, që shkaktohen nga pickimi i rriqrave. Gjithashtu, fruthi është një prej sëmundjeve të rënda dhe shumë infektive që zakonisht prek fëmijët e pavaksinuar”, tha Ahmeti.

Lul Raka, mikrobiolog në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, thotë se mbikëqyrja e sëmundjeve ngjitëse është një prej pikave qenësore në parandalimin dhe kontrollimin e tyre.

“Në dekadën e fundit ka pasur mjaft probleme me funksionimin e sistemit të informimit shëndetësorë dhe nuk kemi të dhëna të sakta. Derisa IKSHPK-ja është përgjegjëse për mbikëqyrjen epidemiologjike”, thotë ai.

Por ai shton se gjatë vitit të fundit kanë  qenë në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, për zbatimin e rekomandimeve të fundit nga kjo agjenci e Bashkimit Evropian.

‘’Pandemia e COVID-19 (sëmundjes që e shkakton koronavirusi) e ka ndërprerë këtë aktivitet që e kemi realizuar bashkë dhe kemi qenë në rrugë të rishikimit të kornizës ligjore dhe të mbikëqyrjes aktive të sëmundjeve ngjitëse”, thotë Raka.

Sidoqoftë vaksinimi ka bërë që disa sëmundje ngjitëse në Kosovë të dobësohen, por edhe të zhduken, siç është paraliza e fëmijëve dhe fruthi te fëmijët e vaksinuar.

Sipas udhëheqësve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Kosova renditet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit.

Vaksinimi organizohet nga Programi i Zgjeruar i Imunizimit, në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dhe ka një mbulueshmëri mbi 95 për qind.

Ndërkaq për mbikëqyrjen dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke punuar sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat