Kadriaj: Mos t’i gëzohet dikush ndjekjes së Thaçit e Veselit nga Specialja, duhet unitet kundër Serbisë - Bota Sot
Kadriaj: Mos t’i gëzohet dikush ndjekjes së Thaçit e Veselit nga Specialja, duhet unitet kundër Serbisë

Kosova

Kadriaj: Mos t’i gëzohet dikush ndjekjes së Thaçit e Veselit nga Specialja, duhet unitet kundër Serbisë

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 17:00
Time Kadriaj

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj gjatë seancës së Kuvendit ka kritikuar qasjen e Gjykatës Speciale kundrejt luftëtarëve të UÇK-së.

Ajo ka thënë Kosovës i duhet uniteti në këtë kohë kur Gjykata Speciale, siç ka thënë ajo, po vepron politikisht.

“Prokuroria e Dhomave të Specializuara e ka nisur punën në mënyrën më të dëmshme të mundshme, në mënyrë më të paimagjinueshme, duke thyer e shkelur çdo ligj, procedurë e etikë të punës. Atakuzat e pangritura po i përdor si kërcënim ndaj luftëtarëve të UÇK-së për qëllime politike. Kjo prokurori dhe kjo gjykatë ka bërë të qartë se ka devijuar nga misioni për drejtësi, nëse kjo gjë ka qenë ndonjëherë mision  i saj. Ndërkohë që Kosova ndodhet në një situatë të tillë, ku rrezikohet stabiliteti i saj, brenda ende vazhdojnë lojërat e kalkulimet politike për ripozicionime në situatën e re, kur Kosovës mund t’i mungojnë në skenën politike luftëtarët që mund të thirren në procese gjyqësore nga kjo gjykatë”, ka thënë ajo në fjalën e saj në Kuvendin e Kosovës.

Kadriaj ka thënë se Specialja po bëhet e rrezikshme ngase dikush i fuqishëm po vepron prapa saj. Deputetja Kadriaj ka thënë se Specialja nuk po sillet si institucion i Kosovës e as nuk po i përgjigjet institucioneve të Kosovës.

“Ka një refuzim të çuditshëm për ta kuptuar se Specialja është shndërruar në instrument të fuqishëm politik të dikujt dhe se përndjekja politike nga kjo gjykatë mund t’i ndodh secilit që mund të mos jetë në shërbim të qëllimeve të caktuar. Mos t’i gëzohet dikush ndjekjes së Thaçit e Veselit nga Specialja, duhet unitet kundër Serbisë tij faktori të fuqishëm prapa saj. Tashmë është gjë e dëshmuar se kjo gjykatë është e politizuar. Gjykata Speciale, e themeluar me votat e këtij Kuvendi, nuk i jep llogari institucioneve të Kosovës e as që i shërben atyre. Kjo kreaturë e pazakontë për drejtësitë normale nëpër botë, vepron ashtu siç i konvenon Serbisë e Rusisë, duke provuar që kasap’hanen që e ka shkaktuar Serbia në Kosovë ta paraqesë para botës si një luftë ku krimet më të mëdha i kanë kryer shqiptarët e Kosovës. Kjo është një tragjedi për shtetin e kombin tonë!”, tha ajo

Kadriaj ka thënë se Gjykata Speciale po e dëmton tërë Kosovën jo vetëm pjesëtarë të caktuar të UÇK-së, prandaj ka thënë se askush nuk duhet t’i gëzohet aktakuzave për Thaçin e Veselin.

“Për përfitime minimale politike, ndoshta dikush e sheh si mundësi thirrjen e krerëve të ushtrisë çlirimtare në intervistim e paralajmërimet për aktakuza, por dëmi që po i bëhet imazhit të UÇK-së në botë, si fundament i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e dëmton drejtpërdrejt edhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Le ta harrojë dikush se Kosova përfiton diçka nga ndjekja e Thaçit dhe Veselit nga kjo gjykatë për rolin e tyre në UÇK, sepse nuk po ndiqen vetëm ata, por po ndiqet e tërë Kosova. Nesër mund të ndiqet secili që ka qenë vetëm një ditë në UÇK, për një qëllim, jo zbatimin e drejtësisë, por shtrembërimin e saj”, ka theksuar Kadriaj.

Ajo ka thënë se drejtësia nuk po zbatohet ndaj Serbisë.

“Ende kemi plagët e hapura. Ende kemi të gjalla gratë e përdhunuara seksualisht, ende kemi të gjallë invalidët e luftës, ende kemi të gjallë dëshmitarët e tmerreve serbe në Kosovë. Serbia kurrë nuk ka bërë një hap prapa për të marrë një përgjegjësi minimale për atë që ka shkaktuar në Kosovë e Ballkan. Ajo e ka vazhduar luftën me të gjitha kapacitetet e saj, ndërkohë që ne paradoksalisht e kërkojmë pajtimin. E ka luftuar pavarësinë, njohjet, ekonominë, integrimin tonë. Tash po e lufton lirinë e luftëtarëve të UÇK-së, sepse hapat prapa i kemi bërë ne. Jemi zmbrapsur në të drejtën tonë”, tha tutje Kadriaj.

Deputetja e AAK-së ftoi për unitet përball Serbisë.

“Thirrja ime është për unitet. Përçarja na ka bërë edhe më të dobët përballë Serbisë. Në kohëra të vështira gjithmonë kemi ditur të bëhemi bashkë. Kjo është kohë e vështirë për Kosovën, ndonëse dikush mund të mos pajtohet. Faleminderit”, theksoi ajo.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat