Ky vit pritet të jetë rekord, megjithatë Kosova nuk i plotëson nevojat e veta për grurë

Kosova

Ky vit pritet të jetë rekord, megjithatë Kosova nuk i plotëson nevojat e veta për grurë

Më: 26 korrik 2020 Në ora: 19:12
Foto ilustrim

Fushata e korrje-shirjeve është shtrirë në të gjithë Kosovën dhe është koha kur vendi bën matjen e rendimentit dhe përllogarit konsumin 1 vjetor të grurit dhe drithërave të tjera.

Kosova për çdo vit ka të mbjella rreth 50,000 deri në 60,000 hektarë por që prej tyre nuk arrin të sigurojë bukën e nevojshme për 1 vit.

E nga Ministria e Bujqësisë thonë se rendimenti i arritur gjatë këtij viti është mjaft i mirë dhe sillet prej 4300 deri në 5000 kilogramë për hektarë.

Sipas tyre, gjatë këtij viti mund të shënohet rekord sa i përket arritjes së rendimentit mesatar për hektarë në nivel vendi.

“Fushata e korrje-shirjeve ka filluar me 28.06.2020 në Komunën e Prizrenit dhe pastaj në mënyrë graduale është zgjeruar edhe në komunat tjera, si: Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Istog e kështu me radhë, ku tani aktualisht është duke u korrur në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vit pritet të jetë mjaft i suksesshëm sa i përket rezultateve në kulturën e grurit, pasi që ka të mbjellura sipërfaqe më të mëdha krahasuar me vitin e kaluar, po ashtu edhe rendimenti mesatar aktual i arritur është mjaft i mirë, i cili sillet ndërmjet 4300 deri në 5000 kg/ha, e që është shumë e mundshme që ky vit të jetë rekord sa i përket arritjes së rendimentit mesatar /ha në nivel vendi.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Vitin e kaluar, Kosova ka arritur të sigurojë rreth 50 për qind të nevojave të grurit, ndërsa këtë vit pritet të qëndrojë më mirë.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, Kosova gjatë këtij viti, duke llogaritur mesataren e rendimentit me nevojat dhe sipërfaqet e mbjella me grurë pritet t’i plotësojë 70 për qind të nevojave të veta për bukë.

“Nevojat në vendin tonë për grurë janë rreth 400,000 ton me grurë, ndërsa këtë vit janë të mbjellura 62381 ha. Bazuar në këto të dhëna, këtë vit pritet që plotësimi i nevojave me grurë të jetë rreth 70 %, por me kusht që e tërë sasia e prodhuar të konsumohet brenda vendit.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.

Nga kjo ministri gjithashtu  kanë bërë të ditur se do të subvensionohen bujqit që mbjellin grurë me nga 150 euro për hektarë – duke treguar gjithashtu se aplikimi është i hapur deri më 14 gusht.

“Edhe këtë vit, sikurse edhe vitet e tjera, MBPZHR-ja përmes Programit të Pagesave Direkte do të subvencionoj kulturën e grurit me vlerë të mjeteve 150 euro/ha. Aplikimi tashmë është i hapur nga data 20.07.2020 deri më 14.08.2020.”, sqaron MBPZHR-ja.

Lidhur me sipërfaqet e mbjella me grurë dhe drithëra nga MBPZHR-ja  thonë se varen nga faktorë të ndryshëm si kërkesa në treg dhe çmim i produktit, por kanë bërë të ditur se kultura e grurit dhe e kultivimit të drithërave po rritet në Kosovë.

“Për çdo kulturë bujqësore njëvjeçare, e po ashtu edhe për kulturën e grurit, sipërfaqja që mbillet ndryshon nga viti në vit, pasi që ndikojnë disa faktorë, si: kërkesa në treg për produktin e asaj kulture bujqësore, çmimi i produktit, etj. Për fat të mire, në vendin tonë kultivimi i sipërfaqeve po rritet, e që një prej faktorëve që po ndikon në këtë rritje të sipërfaqeve të kultivuara si në kulturat e tjera bujqësore e po ashtu edhe në kulturën e grurit është edhe përkrahja që po e marrin fermerët përmes subvencionimit nga MBPZHR-ja.”.

Kosova ndër vite sipas MBPZHR-së ka siguruar 55 deri në 80 për qind të nevojave, ndërsa pjesa tjetër e nevojave të grurit është siguruar përmes importit.

Por, sipas tyre, ka kompani të cilat kanë arritur të eksportojnë miell jashtë vendit.

“Kosova ndër vite i ka plotësuar nevojat e veta me grurë nga 55 % deri në 80 % varësisht prej vitit, ndërsa pjesën tjeter e ka siguruar përmes importit, mirëpo ka edhe kompani grumbulluese dhe përpunuese të grurit të cilat kanë arritur që të eksportojnë miell edhe jashtë vendit, si në Shqipëri e në disa raste edhe në Maqedoninë e Veriut.”, thonë nga MBPZHR.

Deri në përfundim të fushatës së korrje-shirjeve nuk mund të dihet saktë se cili është rendimenti dhe sa për qind të nevojave do t’i sigurojë Kosova nga toka e vet, por sipas ministrisë së Bujqësisë, këtë vit do të ketë rritje e mund të ketë edhe rekord. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat