Këshilla rreth intervistave të punës nga profesionistë e Kosovës

Kosova

Këshilla rreth intervistave të punës nga profesionistë e Kosovës

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 07:38
Foto ilustrim

Pavarësisht nëse jeni prej atyre njerëzve që keni marrë pjesë në shumë intervista për punë ose jo, prapë se prapë, intervistat e punës janë goxha sfiduese, sidomos nëse do të intervistoheni për një punë që vërtetë e dëshironi.

Mirëpo, nëse ndani pak kohë për t’u përgatitur, mund t’ju ndihmojë që gjatë intervistës të ndjeheni më rehat dhe të rrisni gjasat për ta marrë vendin e punës. Ne ju sjellim një përmbledhje me disa këshilla që kanë dhënë njohësit e fushës sa i përket intervistave të punës.

Shpeshherë, kompanitë e ndryshme para se t’i ftojnë kandidatët për një intervistë fizikisht, përdorin në fillim metodën e intervistimit nëpërmjet telefonit. Zanë Havolli, Senior Recruiter në kompaninë e rekrutimit HumanPower, gjatë një interviste për KosovaJob, foli për gabimet që duhet shmangur gjatë intervistimit përmes telefonit dhe se çka e bën kandidatin të hyjë në listën e ngushtë.

Image

"Shfaqja e mirësjelljes është një ndër gjërat më të rëndësishme në kontaktin e parë me një kandidat e sidomos kur akoma nuk kemi rënë dakord për një takim. Kur takohesh fizikisht me një kandidat patjetër që dallon shumë nga një telefonatë dhe për këtë arsye është më e rëndësishme të ndërtohet afërsi dhe njëfarë besimi gjatë bisedës. Kandidatët duhet të vënë theksin tek rëndësia që ka një punë dhe pse kjo kompani është interesante për ta . Po ashtu, luan shumë rol edhe interesimi i kandidatit rreth hapave të mëtutjeshëm. Sa më pozitiv që është një kandidat, aq më të mëdha janë shanset për të ngelur në kujtesën e një rekruteri“, ka thënë Havolli.

Një rëndësi të veçantë në intervista të punës, ka edhe shfaqja e pasionit për punën. Venera Dërmaku, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në kompaninë Beta, ka thënë se pasioni apo entuziazmi në intervista të punës përçon mesazhin se sa është i interesuar një kandidat t’i bashkohet kompanisë dhe ta ushtrojë me seriozitet punën që po ofrohet.

Image

“Pasionin në intervista të punës e shoh si diçka shumë me rëndësi për ta punësuar një kandidat. Ata kandidatë të cilët shprehin entuziazëm në intervistë të punës dhe vijnë energjik edhe në intervistë, japin një ndjenjë pozitive edhe për intervistuesin. Ndër të tjera, të jesh i informuar për pozitën që ke aplikuar dhe për kompaninë ku ke aplikuar është ndër gjërat po ashtu me shumë rëndësi, të cilat mendoj se hyjnë nën ombrellen e pasionit” shpjegoi Venera Dermaku.

Shumë kandidatë, kur marrin një thirrje për intervistë, fokusohen kryesisht në përgatitjen e përgjigjeve të mundshme gjatë intervistimit. Mirëpo, në çdo rast, është e rëndësishme edhe përgatitja e disa pyetjeve për panelin intervistues. Pyetjet që shtroni për intervistuesit, mund të jenë edhe vërtetuese se ju jeni një kandidat i përshtatshëm për pozitën që ata kërkojnë.

Në lidhje me këtë, Erblina Hoxha, Zyrtare e Burimeve Njerëzore në kompaninë Kujtesa, në një intervistë për KosovaJob ka thënë se pyetjet mund të ndikojnë perspektivën e intervistuesit dhe jo rrallëherë mund të përcaktojnë vendimin e panelit intervistues. Sidoqoftë, sipas saj kandidatët duhet të dinë se nuk është e rëndësishme çka nuk duhet pyetur por si duhet pyetur.

Image

“E rëndësishme nuk është çfarë nuk duhet të pyesim por si duhet të pyesim. Qasja konkrete çdoherë do të marrë përgjigjen që i takon adresimit të bërë, që në fakt është përtej një kurioziteti rastësor dhe lidhet direkt me fushën e interesit në terma afatgjatë”, theksoi ajo.

Pos gjërave që duhet të bëhen në një intervistë pune, ka edhe disa gjëra që nuk duhet të bëhen. Ndër gabimet e para është mosrespektimi i orarit kur ju është caktuar intervista. Bashkëthemeluesi i kompanisë së rekrutimit, Mercurius Consulting, Shkumbin Ibraimi, njëkohësisht rekruter me përvojë, ka thënë se kandidatet që vonohen në intervistë pune, japin sinjalin se mund të mos jenë profesional dhe nuk kanë diciplinë. Ai i këshillon ata që të jenë aty 5 ose 10 minuta më herët.

Image

“Menaxherëve të burimeve njerëzore nuk u pëlqen nëse vonoheni për intervistë. Unë rekomandoj të shkoni aty 5 ose 10 minuta më herët. As më shumë se 10 jo, sepse nëse shkoni shumë herët mund ta vëni kompaninë në vështirësi apo të pengoni intervistën paraprake. E them këtë ngase ka kompani që nuk duan t’i takojnë kandidatët njëri me tjetrin”.

Kureshtja për pagën është po ashtu diçka që duhet të shmanget gjatë fazës së parë të intervistës. Sipas Shkumbin Ibraimit, intervistat ndahen në disa faza, prandaj kandidatët duhet të kenë durim të presin fazën kur shtrohet në tavolinë edhe çështja e pagës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat