Filloi largimi i kabllove mbi sheshin “Adem Jashari” në Vushtrri

Kosova

Filloi largimi i kabllove mbi sheshin “Adem Jashari” në Vushtrri

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 15:59
Foto nga vendi i ngjarjes

Filloi sot largimi i kabllove mbi sheshin “Adem Jashari” në Vushtrri. Në ceremoninë e nisjes së punëve, kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri tha se sheshi do të ketë ndriçim të ri, ulëse të reja, do të largohen betonet e ngritur dhe do të ketë gjelbërim më shumë.

Sipas tij, shëmtia e deritashme që ka përbërë edhe rrezik për qytetarët e bizneset në shesh, deri në fund të vitit do te merr fund. Ai siguroi bizneset që nuk do të ketë pengesa në operimin e tyre gjatë realizimit të punimeve.

Mjetet për këtë projekt janë siguruar nga granti i performancës në kuadër të Ministrisë së Pushtetit Lokal si dhe nga KEDS i cili do të investojnë në këtë projekt me kabllo, trafo dhe orë. Saktësisht rreth 360 mijë euro nga granti dhe mbi 300 mijë nga KEDS.

Tahiri: Projekt i rëndësishëm për Vushtrrinë

“Po e fillojmë një projekt tepër të rëndësishëm e që është largimi i kabllove mbi sheshin kryesor ‘Adem Jashari’ të qytetit të Vushtrrisë. Është një projekt i cili është kërkuar që sa kohë prej qytetarëve dhe në fakt bukuria e këtij sheshi ka qenë jo e plotë për shkak të këtyre kabllove dhe po ashtu siguria e qytetarëve ka qenë e kompromentuar për shkak të këtyre kabllove. Projekti po financohet nga Komuna e Vushtrrisë për shkak të grantit të performancës që kemi përfituar nga Ministria e Pushtetit Lokal në vlerë prej 360 mijë euro ndërkohë që pjesën tjetër mbi 300 mijë tjetër në kabllo dhe pajisje të tjetra do t'i financojë KEDS-i”, u shpreh Tahiri.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi që në fushatën e vitit 2017 kur kandidonte Tahiri, në tubimin përmbyllës ai premtoi që me qeverisjen e LDK-së kabllot në sheshin “Adem Jashari” do të largohen.

Gashi thuri elozhe për punën e Tahirit në krye të Komunës së Vushtrrisë duke shtuar se një model i tillë duhet të shtrihet në të gjithë vendin.

Gashi: Modeli i projekteve gjysmë të përfunduara duhet të marrë fund në Kosovë

“Mendoj që qeverisja e mirë, shembulli i mirë i qeverisjes së Xhaferit duhet të përkrahet dhe të shtrihet në tërë Kosovën. Këto kabllo të shëmtuara, këto projekte gjysmë të përfunduara duhet të marrin fund si model në Kosovë dhe të ndërtohet modeli i mirë i qeverisjes së qëndrueshme dhe investimeve të qëndrueshme. Kur behet një investim duhet të bëhet i plotë dhe të mos dëmtohen paret e qytetarëve duke e prishur pas një kohë të shkurtër investimi që është bërë paraprakisht për shkak se nuk është planifikuar mirë”, deklaroi Gashi.

Zëvendësministrja e Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini, tha se ka marrë fund mbështetja për projektet vetëm se një kryetar komune njeh një ministër ose një zv.ministër vjen nga një zonë e caktuar.

Ajo tha se MPL po simulon kryetarët e komunave përmes grantit që është ngritur së bashku me qeveritë finlandeze, zvicerane dhe norvegjeze.

Emini: MAPL po simulon kryetarët e komunave

“Është një krenari tjetër e veçantë për shkak se Komuna e Vushtrrisë është një prej komunave e cila ka perfomancen jashtëzakonisht të mirë dhe Ministria e Pushtetit Lokal nuk i ndan grantet pse njeh një kryetar komune apo pse njeh ministër apo se një zv.ministër vjen prej një zone, por MPL e ka krijuar grantin e përformancës së bashku me donatorë qeverinë zvicerane, finlandeze dhe norvegjeze dhe po i stimulon kryetarët e komunave që të përmbushin kriterin ligjor së pari, pastaj raportin e auditorit e shumë kërkesa të tjera që përmirësojnë direkt jetën e qytetarëve”, deklaroi Emini.

Në këtë ceremoni prezent ishte edhe drejtori nenaxhues i KEDS, Alper Erbas dhe drejtori i investimeve në këtë kompani Avni Alidemaj, me këtë të fundit që premtoi se ky projekt do të realizohet në afatin më optimal.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat