Mbi 30 serbë paguhen pa shkuar në punë, e dëmtuan buxhetin e Kosovës me 150 mijë euro

Kosova

Mbi 30 serbë paguhen pa shkuar në punë, e dëmtuan buxhetin e Kosovës me 150 mijë euro

Më: 31 korrik 2020 Në ora: 18:22
Mitrovica e Veriut

Shumë nga institucionet në Kosovë po paguajnë punëtorë që nuk shkojnë asnjëherë në vendet e punës.

Së paku për të tillët punëtorë nuk është dorëzuar asnjë evidencë për vajtje – ardhjet në punë në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA), gjatë përgatitjes së raporteve vjetore të auditimit.

Të tilla raste janë raportuar edhe në Ministrinë Arsimit dhe Shkencës të Kosovë, raporton arbresh.info.

Madje numri i punëtorëve është mbi 32, e shuma që ata janë paguar është rreth 150 mijë euro.

Në këtë raport thuhet saktësisht se për 32 nëpunës të komunitetit serb, MAShT, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës për ti kryer detyrat për të cilat janë të ngarkuar me kontrata. Por, ata janë paguar njësoj si kolegët e tyre që kanë respektuar orarin e punës, ndërsa vlera financiare e shpenzimet e pagave për vitin 2019, për këta 32 zyrtarë ka qenë 134,657€.

“Në MAShT, pas një procesi të rekrutimit me akt emërime ishin integruar 32 nëpunës të komunitetit serb, ish pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”. Këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri. Për këta punonjës, MAShT, nuk ka dëshmi për ta konfirmuar paraqitjen e tyre në vendin e punës për ti kryer detyrat për të cilat janë të ngarkuar me kontrata, përderisa ishte bërë pagesa e rregullt e pagave të tyre. Vlera financiare për shpenzimet e pagave për vitin 2019, për këta 32 zyrtarë ishte 134,657€”, thuhet në raport.

Kjo pagesë sipas raportit, shkakton dëmtim buxheti si dhe mos arritje të objektivave të përcaktuara me marrëveshje, pra integrimin e këtij komuniteti në sistemin e Republikës së Kosovës.

Ndërsa, ministrit i është rekomanduar të monitoroj vijueshmërinë në punë të punëtorëve, shkruan arbresh.info.

“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore. Për shkak të kompleksitetit të këtij problemi, ministri duhet ta adresoj këtë çështje edhe në Qeveri”, thuhet më tej në rekomandim.

Ndryshe, pagesë për punëtorët që nuk kanë shkuar në punë ishte raportuar edhe në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në vitin 2019 kur kjo ministri udhëhiqej nga Rrustem Berisha janë identifikuar disa raste kur punëtorët kanë marrë paga, edhe pse nuk kanë shkuar në punë mbi 2 muaj.

Mos vijueshmëria në punë ka arritur deri në rreth 50 ditë.

Në raportin e Auditorit të Përgjithshëm, për këtë ministri thuhet se tre punëtorë nuk kanë shkruar në punë deri në 30 ditë, ndërsa një deri në 46 ditë. Sipas të njëjtit raport nuk ka pasur kontrolle dhe mbikëqyrje nga drejtorët e departamenteve për ardhje/vajtje të punonjësve në punë.

“Sipas ligjit 03/L-149 Për Shërbyesit Civil, neni 36 dhe rregullorja së Qeverisë 05/2010 për orarin e punës, neni 4, punëtorët janë të obliguar të punojnë 40 orë në javë. Ne kemi identifikuar tre raste, të cilët gjatë vitit 2019 kanë pasur mos vijueshmëri në punë deri në 30 ditë, derisa në një rast deri në 46 ditë, duke përjashtuar pushimet vjetore, mjekësore dhe festat zyrtare. Në këtë gjendje është reflektuar mungesa e kontrolleve dhe mbikëqyrjes nga drejtorët e departamenteve përkatëse të punonjësve dhe neglizhimit të ardhje/vajtjes së punonjësve në punë”, thuhet në raport.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në muajin prill ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Raportin Vjetor të Performancës për vitin 2019.
Pas dorëzimit, raporti i njëjtë është publikuar edhe në uebfaqen e ZKA-së, shkruan arbresh.info.

Në njoftimin e ZKA-së thuhet se raporti përfshinë shënime të rëndësishme rreth performancës së institucionit të Auditorit të Përgjithshëm në përmbushjen e obligimeve të tij kushtetuese e ligjore, në pajtim me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat