Përfundon me sukses projekti i ndihmës humanitare për personat e privuar nga liria

Kosova

Përfundon me sukses projekti i ndihmës humanitare për personat e privuar nga liria

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 14:10

KMDLNJ, në fillim të muajit gusht ka ekzekutuar pagesën e tretë dhe të fundit për personat e privuar nga liria që janë liruar në kohën e pandemisë të shkaktuar nga COVID 19 , që janë në vuajtje të dënimit dhe familjet e tyre.

Përkrahjen financiare për këtë intervenim krejtësisht humanitar e kanë siguruar KFOS – Zyra në Kosovë dhe OSF në Nju Jork.

KMDLNJ , Zyra në Prishtinë dhe zyrat rajonale për tre muaj radhazi përmes Projektit të Ndihmës Humanitare për familjet në nevojë për personat e privuar nga liria dhe ata të liruar në kohë pandemie, ka ndihmuar 185 familje me nga 170 euro për tre muaj, përfshirë muajin qershor, korrik dhe gusht.

Pagesat janë bërë në çdo fillim të muajit, midis datave 1-3 të muajit përkatës. Përfituesit e këtij intervenimi humanitar të përkrahur nga KFOS dhe OSI – Zyra në Nju Jork kanë përfituar 94.350 euro.

Kriteri kryesor për të qenë përfitues i kësaj ndihme ka qenë gjendja ekonomiko-sociale e familjeve të personave të privuar nga liria që ndodhen në institucione korrektuese apo të liruar në kohë pandemie.

Të gjithë përfituesit kanë qenë familje me kushte të vështira ekonomiko-sociale, shumica e tyre kanë jetuar me të ardhura prej 100 euro në muaj, një pjesë e tyre kanë pasur vetëm 90 euro nga prindërit pensionistë dhe një përqindje e konsiderueshme kanë qenë nëna vetushqyese të cilat nuk kanë pasur asnjë të ardhur.

Të gjitha familjet përfituese kanë pohuar se këto mjete i kanë shfrytëzuar kryesisht për shportë familjare.

KMDLNJ e vlerëson si përkrahje të jashtëzakonshme për të dënuarit dhe familjet e tyre sigurimin mjeteve financiare nga KFOS dhe OSF – Zyra në Nju Jork dhe shpreh keqardhje që për shkak të mjeteve të kufizuar nuk ka qenë në gjendje të përkrahë më shumë familje të personave të privuar nga liria dhe të liruar në kohë pandemie.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat