Nënshkruhen memorandumet për projektin “Biblioteka qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit”

Kosova

Nënshkruhen memorandumet për projektin “Biblioteka qarkulluese me strategjitë e lexim-kuptimit”

Më: 6 gusht 2020 Në ora: 17:39
Pamje nga takimi

Organizatat ETEA dhe The Library Project Kosova kanë nënshkruar sot memorandume bashkëpunimi me drejtorët komunalë të Arsimit të Prishtinës, Gjilanit dhe Obiliqit.

Memorandumet kanë për qëllim ndarjen dhe koordinimin e përgjegjësive me rastin e shtrirjes së projektit “Biblioteka qarkulluese më strategjitë e lexim-kuptimit” në shkollat kampione të komunave.

Drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti ka thënë se ky projekt është një mundësi e mirë për të gjitha shkollat që kanë fonde të varfra të librave apo që nuk kanë fare biblioteka shkollore, pasi “Biblioteka qarkulluese” mundëson furnizimin e vazhdueshëm me libra, dhe atë me libra cilësorë.

Ai vlerësoi se udhëzuesit e mësimdhënësve për strategjitë e lexim-kuptimit që do të shpërndahen së bashku me librat në shkolla, do të mundësojnë zhvillimin e mendimit kritik dhe analitik tek fëmijët, diçka që sipas rezultateve të testit PISA mungon ndër nxënësit kosovarë.

Drejtoresha Komunale e Arsimit në Prishtinë, Shpresa Shala ka thënë se ka qenë e fascionuar nga ideja se si duhet fëmijët të udhëzohen nga mësimdhënësit që ta kuptojnë atë që janë duke e lexuar.

Ajo potencoi përvojën e mirë të mësimdhënësve të shkollave të Prishtinës që kanë aplikuar strategjitë e lexim-kuptimit paraprakisht, përvojë kjo që e ka nxitur të jep kontributin e vet në zgjerimin e projektit.

Rexhep Zeka, drejtor i Arsimit në Obiliq tregoi se ata janë bashkëpunues me çdo organizatë joqeveritare dhe se i kanë dyert e hapura për të gjithë akterët që kanë synim dhe qëllim ngritjen e nivelit të arsimit.

E koordinatorja e The Project Library Kosova, Gresa Haxhimusa kërkoi mbështetjen e drejtorëve që Orët e Leximit të integrohen në dy orë obligative brenda javës.

Ndryshe, projekti është iniciuar nga organizata The Library Project - Kosova me seli në Stokholm dhe implementuar në bashkëpunim me organizatën ETEA dhe me mbështetjen e GIZ Kosovo në emër të Qeverisë gjermane.

Projekti do të shtrihet gjithsej në shtatë komuna të Kosovës dhe brenda javës së ardhshme do të nënshkruhen memorandum bashkëpunimi me drejtorët komunalë të Arsimit në Prizren, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat