Vetëm edhe 13 shtretër të lirë për pacientët me koronavirus në Spitalin e Vushtrrisë

Kosova

Vetëm edhe 13 shtretër të lirë për pacientët me koronavirus në Spitalin e Vushtrrisë

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 14:33
Foto ilustrim

Në Spitalin e Vushtrrisë janë duke u trajtuar 50 pacientë për koronavirus, 1 është i intubuar, 4 persona janë në CPAP, ndërsa 30 të tjerë janë me oksigjenoterapi.

Por aty kanë mbetur vetëm edhe 13 shtretër të lirë për pacientët me koronavirus. Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë bërë të ditur nga Spitali i Vushtrrisë.

“Kanë mbetur vetëm edhe 13 shtretër për pacientë”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Po ashtu, Spitali i Vushtrrisë në një përgjigje ditë më parë ka bërë të ditur se janë duke u përballur me mungesë të stafit infermierik.

“Vështirësi më të mëdha janë me stafin infermierik, ku një pjesë janë në moshë të shtyrë dhe një pjesë kanë probleme shëndetësore. Për këtë arsye, edhe kemi nevojë shumë të madhe për mbështetje të vazhdueshme me staf infermierik”, thuhej në përgjigjen e tyre.

Ditë më parë, punëtorët shëndetësorë të stafit të mesëm të Spitalit të Vushtrrisë kanë protestuar, për arsye se po punojnë në kushte të papërshtatshme. Sipas tyre janë pak në numër dhe nuk po mund t’ia dalin që t’i kryejnë punët që u janë shtuar, pasi që në këtë spital tashmë trajtohen vetëm rastet për koronavirus.

Ata janë ankuar se nuk janë duke u ndihmuar nga infermierët e qyteteve të Mitrovicës dhe Skenderajt, anipse aty trajtohen të gjithë personat e infektuar të këtij rajoni.

Më 14 korrik, ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi ka bërë të ditur se Spitali i Vushtrrisë do të kthehet në spital për trajtimin e rasteve me koronavirus.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat