Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës jep lajmin e madh rreth Covid-19

Kosova

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës jep lajmin e madh rreth Covid-19

Më: 19 gusht 2020 Në ora: 10:20
Foto ilustrim

Janë bërë pesë muaj qëkur Kosova po përballet me pandeminë COVID-19. Ndonëse numri i të infektuarve vazhdon të mbetet i lartë, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se gjatë dy javëve të fundit trendi i numrit të të infektuarve është në rënie.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se masat e marra nga qeveria dhe të zbatuara nga komunat kanë ndikuar që numri i qytetarëve të infektuar të bjerë.

Qeveria e Kosovës së fundi ka ndarë 39 milionë euro shtesë për komunat, ndërsa 11 milionë prej tyre do të jenë të destinuara për luftimin e pandemisë COVID-19. Ibrahimi konsideron se ky është një “infuzion” i mirë për ekonominë e komunave e cila është goditur nga pandemia.

“Në takimin e fundit të Këshillit të kryetarëve së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti, ministrin e shëndetësisë, Armend Zemaj, ministrin e Arsimit, Ramë Likaj dhe drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani, diskutuam për problemet në nivel lokal, bashkëpunimin me nivelin qendror dhe tejkalimin e situatës me pandeminë. Së fundi me lobimin e fuqishëm të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Qeveria ka ndarë 39 milionë euro për nivelin lokal, ku 10 milionë janë të destinuara në luftën kundër pandemisë COVID-19, kurse 29 milionë tjera mund të shfrytëzohen për gjithçka tjetër përveç se për paga dhe shtesa. Kjo është një infuzion i mirë për komunat që të luftojnë edhe më shumë kundër përhapjes së pandemisë”, thotë Ibrahimi për “Zërin”.

Bie për 16 për qind numri i të infektuarve

Ibrahimi ka thënë se gjatë dy javëve të fundit është vënë re një trend në rënie i të infektuarve me COVID-19 dhe sipas tij ky është rezultat i masave nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe zbatimit të tyre nga ana e komunave.

“Situata gjatë këtyre dy jave të fundit është vlerësuar se trendi i numrit të infektuarve është në rënie e sipër dhe vlerësimi është bërë në takimin e fundit në fundjavën e kaluar se 16 për qind është në rënje trendi i të infektuarve me COVID-19, kjo ishte një tregues se masat që janë dakorduar së bashku me nivelin lokal kanë dhënë rezultateve, por kjo nuk duhet të na dërgoj në vetkeqësi por të vazhdojmë luftën kundër pandemisë”, thotë ai.

Tri alternativa për vitin e ri shkollor

Ibrahimi ka bërë të ditur se Qeveria për vitin e ri shkollor ka dhënë tri alternativa në mënyrë që komunat të vendosin se cila prej tyre është me e mira për të filluar vitin e ri shkollor ku alternativa e parë ishte fillimi i vitit shkollor në bankat shkollore, mundësia e dytë ishte në kombinim në mes të fillimit në bankat shkollore dhe mesimit online dhe alternativa e tretë që i gjithë mësimi të zhvillohet në distancë.

“Është vlerësuar që nxënësve të klasës së parë dhe të dytë t’iu jepet prioritet për tu kthyer në bankat shkollore, pastaj klasa e gjashtë pasi ata kalojnë nga mësimi me një mësimdhënës në një proces mësimor me shumë mësimdhënës dhe klasa e dhjetë për shkak të ndërrimit të gjeneratës. Komunat janë të përgatitura dhe do t’i marrin të gjitha hapat për dezinfektimin e shkollave dhe çështjeve të higjenës”, ka thënë kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

7 laboratore dhe 100 mijë teste për COVID-19

Në lidhje me ankesat e disa kryetarëve të komunave që kohë më parë u ankuan se qeveria nuk po koordinon masat anti-Covid me nivelin lokal, Ibrahimi thotë se bashkëpunimi mes komunave dhe qeverisë është shumë i mirë dhe sipas tij, si rezultat i këtij bashkëpunimi është bërë e mundur që komunave të mos ju merren mjete financiare në rishqyrtimin e buxhetit sepse të hyrat vetanake kanë pësuar rënje drastike dhe fal këtij bashkëpunimi nuk është prekur asnjë cent komunave dje se çdo masë që është ndërmarrë është bërë në konsulta të plota me kryetarët e komunave.

Ibrahimi thotë se janë siguruar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj se shumë shpejt do të rriten kapacitet e testimit ashtu siç është bërë kërkesë nga komunat, duke u shtuar edhe 7 laboratore.

“Jemi siguruar nga ministri Zemaj se së shpejti do t’i kemi edhe 7 laboratore që do të merren me testimin COVID-19, ku 6 do të shkojnë në spitalet rajonale nëpër komuna, do të kemi 100 mijë teste që do të shprendahen në nivelin lokal”, ka thënë ai.

Shqyrtimi i masave anti-COVID çdo dy javë

Ibrahimi ka thënë më tej se komunat janë të kënaqura me bashkëpunimin e policisë dhe si rezultat i koordinimit të mirë, qytetarët po respektojnë masat, ndërsa ka thënë se janë dakorduar me qeverinë që të rishqyrtojnë masat anti-COVID për çdo dy javë.

“Si Asociacion i Komunave kemi organizuar një trup koordinues mes nivelit lokal dhe qendror dhe bashkëpunimi me policinë e Kosovës është i jashtëzakonshëm dhe si rezultat i kësaj qytetarët po respektojnë më shumë masat. Kemi vendosur që masat anti-COVID të rishqyrtohen çdo dy javë .Ne si Asociacion i Komunave kemi kërkuar dhe qeveria ka pranuar që masat anti-COVID të rishqyrtohen çdo dy javë, tash ka mbetur të vlerësohen kushtet se a janë plotësuar kushtet për lehtësim të masave ose edhe në raste të tjera të shtregimit të masave”. thotë Ibrahimi

I pytur për bashkëpunimin me kryetarët serb të Komunave, Ibrahimi tha se komunat veriore të Kosovës nuk janë anëtare të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndërsa me komunat jugore me shumicë serbe kanë bashkëpunim të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat