Haliti: Verifikimi i figurave politike nga AKI-ja i ngjan policive politike të diktaturave

Kosova

Haliti: Verifikimi i figurave politike nga AKI-ja i ngjan policive politike të diktaturave

Më: 18 shtator 2020 Në ora: 00:23
Xhavit Haliti

Anëtari i Kryesisë së PDK-së Xhavit Haliti ka thënë se duhet të ekzistojë një mekanizëm shtetëror për verifikimin e figurave politike.

Ai deklaroi se nuk ka asnjë logjikë që AKI-ja ta bëjë një gjë të tillë.

Madje, ai ka shkuar më larg dhe ka thënë se “kjo mënyrë e funksionimit i ngjan policive politike të diktaturave dhe jo një shteti demokratik”.

“Kemi një situatë të dialogut që po zhvillohet me Serbinë. A e kemi një organ kushtetues që korrigjon, mbikëqyr ose garanton për ata që marrin pjesë në bisedime? Ne nuk kemi akoma një mekanizëm shtetëror të pavarur i cili verifikon figurat politike për çështje të caktuara. Jo për me hy në punë diku, që ia kanë lënë AKI-së akoma, që për mua kjo mënyrë e funksionimit i ngjan policive politike të diktaturave dhe jo një shteti demokratik”.

“Nuk ka asnjë logjikë që AKI-ja të verifikojë figurat. AKI-ja mund të japë mendim për një fushë të caktuar, por duhet të kemi një mekanizëm pranë qeverisë, kryeministrit ose presidentit – një mekanizëm të verifikuar, të pavarur, që nuk i trembet syri dhe nuk pranon urdhra prej askujt”.

“Një mekanizëm i cili konstaton dhe verifikon figurat që kanë me u marrë më çështje të caktuara, që kanë me u bo deputetë ose ministra, që do të drejtojnë diçka, veçanërisht këta që do t’i drejtojnë bisedimet dhe kanë me marrë pjesë në delegacione për dialog duhet të jenë figura të garantuara – që s’janë ose s’kanë qenë agjentë të UDB-së, që nuk koketojnë me ta, që s’janë agjentë ose nuk punojnë për shërbimet armike të Kosovës – krejt këto duhet të verifikohen”, tha ai në klanks.

“Gjithë ky debat që është bërë për dialogun me Serbinë e takimin në Washington dhe nuk ka mekanizëm që duhet të marrë përgjegjësinë për delegacionin atje”.

Haliti ka deklaruar se nuk do të pranonte ta dërgonte askënd që nuk e ka kaluar verifikimin nga ky mekanizëm në dialog me Serbinë, e nuk do të shkonte as vet.

Por, a ishte më ndryshe kur ai ishte pjesë e Konferencës së Rambujesë – ku po ashtu kishte negociata dhe marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë?

“Në Rambuje ka qenë tjetër gjë. Atje kanë qenë tri delegacione, derisa unë kam shkuar si pjesëtar i UÇK-së”.

Kur flet për Rambujenë, Haliti thumbon edhe LDK-në të cilët zgjedh t’i quaj “ata me gazeta nën sqetull”.

“Rambujenë e ka bërë UÇK-ja – pa UÇK-në s’do të kishte Rambuje. Nuk e kanë bërë këta që po thonë me gazeta nën sqetull – ata që janë sjellë me gazeta dhe e kanë lexuar “Bujkun” nëpër Kosovë dhe thonë që kanë bërë nam të madh”.

Çfarë thotë Xhavit Haliti, që po kërkon me insistim që të bëhet verifikim i figurave politike në Kosovë, për akuzat se vetë ai ka qenë i lidhur me UDB-në?

“Nëse ka argumente që kam punuar ja ku jam, por unë kam qenë ndër njerëzit më të ndjekur në ish-Jugosllavi. Shërbimet e thonë gjithmonë të kundërtën. Shteti duhet t’i verifikojë, nuk munden politikanët ose gazetarët ta verifikojnë askënd. Shteti ka mekanizmat e vet që verifikon secilin kur do, ndërsa kur nuk do e lëshon”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat