Sot 16 vite nga tragjedia ku humbën jetën 15 maturantë nga Malisheva

Kosova

Sot 16 vite nga tragjedia ku humbën jetën 15 maturantë nga Malisheva

Më: 14 tetor 2020 Në ora: 14:16
Malishevë

Sot, 16 vite më parë, kanë humbur jetën 15 maturant të gjimnazit “Abdyl Frashëri” (tani “Hamdi Berisha”), në një aksident tragjik që ndodhi në Fushë Arrëz të Pukës në Shqipëri, gjatë kthimit nga ekskursioni i organizuar nga gjimnazi. Kjo ngjarje, është tragjedia më e madhe e ndodhur në Kosovën e pasluftës dhe në të njëjtën kohë është ngjarja më rëndë e ndodhur në shkollat e vendit tonë.

Me dhimbje të thellë, edhe 16 vite pas, sot u përkujtuan 15 maturantët e gjimnazit. Aktivitetet ishin të kufizuara për shkak të situatës me pandemi, por thellë në zemrat dhe shpirtin e malishevasve, kjo ngjarje kujtohet si ngjarja më rëndë dhe më dhimbshme, që nga paslufta.

Sot në vendin ku janë të varrosur 15 maturantët, në “Lëndinën e Lotëve” në lagjen e Gurit në Malishevë, familjarë, ish nxënës të asaj gjenerate, strukturat komunale, me në krye të parin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kolektivi i gjimnazit dhe i shkollave tjera të mesme, nxënës gjimnazist, përfaqësues të subjektive politike dhe qytetarë shumtë, kanë bërë homazhe në kujtim të maturantëve.

“Është datë e dhimbshme për ne të gjithë. Për ne kujtimi është i freskët, ndërsa për këta maturant ishin gjithmonë së bashku, e edhe sot janë së bashku këtu. Zoti ka vendosur që ata të vdesin së bashku dhe zoti ka dashtë që ata të varrosen këtu së bashku. Ju familjar të jeni të fortë dhe ti kujtojmë gjithmonë”, ka thënë kryetari Begaj, gjatë homazheve.

Në emër të familjareve, Osman Suka, i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje.

Më 14 Tetor 2004, autobusi me 49 gjimnazist maturant, pas një aksidenti të rëndë, është rrokullisur duke rënë një humnerë, në hyrje të Fushë Arrëzës të Pukës, në Shqipëri, kanë humbur jetën 15 maturant nga Malisheva, ndërsa 34 maturant të tjerë janë lënduar.

Në nderim dhe kujtim për 15 maturantët e gjimnazit, në “Lëndinën e Lotëve” në Malishevë, ku janë të varrosur maturantët, është ngritur një memorial, ndërsa në vendin e aksidentit në Fushë Arrëz, Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e ka ngritur një obelisk.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat