Rrethrrotullimi që mbeti pa u lëshuar në Vushtrri, komuna ia “hedh” fajin Ministrisë

Kosova

Rrethrrotullimi që mbeti pa u lëshuar në Vushtrri, komuna ia “hedh” fajin Ministrisë

Më: 18 tetor 2020 Në ora: 23:08
Foto

Investimet më të mëdha të pasluftës, janë bërë pikërisht në infrastrukturën rrugore. Por, pavarësisht kësaj, shpesh është folur rreth cilësisë së këtyre punimeve dhe jo vetëm, edhe për shkak të vonesave për t’i përfunduar ato me afatin e caktuar kohor.

Ka dy muaj prej kur rruga magjistrale, e cila kalon në qytetin e Vushtrrisë, rri e bllokuar në njërin drejtim, derisa rrethrrotullimi, nuk lëshohet për qarkullim.

Kjo neglizhencë, ka bërë që të ketë kaos në trafik, por edhe rrezik për drejtuesit e veturave, ndërsa “fajtori” nuk dihet, pasi që Komuna topin ia gjuan Ministrisë së Infrastrukturës.

“Fillimisht ju njoftoj që ndërtimi i rrugës magjistrale M2-zona qendër e qytetit të Vushtrrisë, financohet dhe manaxhohet komplet nga Ministria e Infrastrukturës. Projekti është planifikuar të përfundojë këtë vit. Përderisa gjatë punimeve në terren kanë dalë punë shtesë dhe operatori ekonomik me aprovim nga organi mbikëqyrës dhe menaxheri i MI-së ka realizuar këto punë shtesë.

Tashmë ka mbetur vetëm finalizimi i shenjëzimit vertikal përgjatë këtij segmenti dhe vendosja e semaforëve në katër pika”, ka thënë në një përgjigje, Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Vushtrrisë, Berat Sadiku.

Ai tutje tha se në bazë të informatave që kanë, operatorit ekonomik, ende nuk i janë kompensuar punët shtesë nga Ministria, dhe si e tillë kompania s’është e gatshme t’i finalizojë punët e mbetura.

“Ne kemi kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të përfundohet ky segment sa më shpejtë me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve përgjatë kësaj rruge”, thotë Sadiku.

Indeksonline ka dërguar pyetje dhe ka kërkuar informata shtesë në lidhje me këtë rrugë tek Ministria e Infrastrukturës, por që të njëjtit s’kanë kthyer asnjë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat