Hoti e Dumoshi e inaugurojnë Palestrën Sportive në Deçan

Kosova

Hoti e Dumoshi e inaugurojnë Palestrën Sportive në Deçan

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 10:54
Foto

Sot në Deçan është inauguruar Palestra Sportive.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka thënë se Deçani dhe komunat e tjera po e kompletojnë infrastrukturën sportive për të qenë pjesë e komunitetit sportiv ndërkombëtar.

“Është kënaqësi që pas shumë viteve prej se ka filluar kjo palestër me disa Ministra të Kulturës, Rinisë dhe Sportit deri më tash, për shkak të nevojave të shumta që ka Kosova, sepse po të kishim resurset e nevojshme do të ishte kryer brenda dy-tre viteve të para. Është me interes që sot është kompletuar kjo sallë që është e standardeve ndërkombëtare për hendboll dhe basketboll”.

“Deçanit, Pejës e kësaj ane nuk i mungojnë sportistët në plot sporte, e keni bërë krenar Kosovën në plot sporte. Pres që sa ta kalojmë këtë situatën e pandemisë, sepse në një situatë tjetër do të ishte plot me sportistë për ta inauguruar si duhet, të kthehemi për të parë lojëra të bukura në këtë sallë”.

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi ka thënë se në Deçan parashihen edhe shumë projekte të tjera në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

“Programi i Qeverisë së Kosovës dhe programi i kryeministrit është për zhvillimin e sportit, prandaj ne në Komunën e Deçanit i kemi rreth 18 projekte. Fakti se kjo sallë është ndërtuar me të gjitha normat ndërkombëtare ku do të luhen jo vetëm lojëra kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare, flet shumë”.

“Më vjen keq që në këtë kohë pandemie nuk i kemi sportistët këtu, por ata janë e sotmja dhe e nesërmja jonë që po na e zbardhin fytyrën kudo me pjesëmarrjen e tyre. E gëzofshin këtë sallë dhe shumë projekte në Komunën e Deçanit”.

Ndërkaq, kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj ka thënë se Palestra Sportive, e inauguruar sot, është një mundësi shumë e mirë për sportistët.

“Më në fund, pas shumë vitesh dhe përpjekjesh, komuniteti sportiv dhe sportdashësit e kanë shtëpinë e vet. Është fat për neve dhe suksesi do të jetë i siguruar, për shkak se në Deçan ka mjaft sportistë. E kemi një kulturë dhe histori që në të kaluarën kemi qenë shumë prezent”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat