UNDP në rritje të vazhdueshme të përkrahjes për punëkërkuesit në Kosovë

Kosova

UNDP në rritje të vazhdueshme të përkrahjes për punëkërkuesit në Kosovë

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 16:27
Bujar Ibrahimi

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, në vazhdën e përpjekjeve konstante për dhënie të mundësive për punëkërkuesit në Kosovë, ka rritur përkrahjen posaçërisht gjatë përballjes me pandeminë COVID-19, nëpërmjet programeve të ndryshme të punësimit.

Pak javë më parë, UNDP ka shpallur disa programeve për të përkrahur punëkërkuesit e riatdhesuar në Kosovë, në punësim dhe hapje të bizneseve të tyre nga të cilat shumë të papunë do të kenë rastin të përfitojnë.

Janë të shumtë përfituesit e programeve, nga ta edhe Bujar Ibrahimi nga Obiliqi i cili falë mbështetjes së marrë ka arritur që në vitin 2018 të hapë biznesin e tij për ofrim të shërbimeve për flokë për meshkuj.

Në një shkrim të publikuar nga UNDP thuhet se Bujari jo vetëm që ka arritur të hap biznesin e tij por ai po hap dyert edhe për shumë punëkërkues të tjerë.

“Që nga atëherë, Bujari jo vetëm që po udhëheq me sukses biznesin e tij të vogël “Babybliss”, ai po i zgjat dorën e ndihmës njerëzve tjera në nevojë”, thuhet në shkrim.

Samed Shabani, 19 vjeçar, është njëri nga të rinjtë të cilit Bujari i ka dhënë mundësinë për tu punësuar në biznesin e tij. Samedi është përfitues i Programit të Subvencionimit të Pagës 2020 të UNDP-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencinë e Punësimit.

Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, si përgjigje e menjëhershme, UNDP ka rritur përkrahjen për punëkërkuesit në Kosovë, duke krijuar më shumë mundësi drejt punësimit të qëndrueshëm si dhe duke i ndihmuar institucionet e punësimit në Kosovë nëpërmjet disa donacioneve me pajisje mbrojtëse dhe pajisje të tjera për stafin e tyre, teksa ofrojnë shërbime të punësimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat