Pacientët po presin deri gjysmë viti për një operim në QKUK

Kosova

Pacientët po presin deri gjysmë viti për një operim në QKUK

Më: 17 nëntor 2020 Në ora: 18:04
Foto ilustrim

Deri në gjashtë muaj kanë shkuar listat e pritjet për operacione elektive në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në gjendje më të mirë nuk janë as klinikat tjera në QKUK e as spitalet rajonale.

Deri në gjashtë muaj, pacientët duhet të presin për tu operuar në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Listat e pritjes do të të rriten edhe më shumë javëve në vijim, për shkak të gjendjes me pandeminë Covid-19.

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu, ka bërë të ditur , se është rritur afati i pritjes për rastet elektive në këtë klinikë.

Ai është shprehur se do të ishte mirë që të mendohej për një alternativë tjetër për zgjedhjen e këtij problemi, për shkak që sipas tij, pacientët në gjendje jo të mirë shëndetësore, duhet të shkojnë në sektorin privat për trajtim mjekësorë.

“5 deri në 6 muaj janë listat e pritjes për operacionet elektive. Besoj që do të ishte më mirë të bisedohej dhe të gjendej ndonjë alternativë e zgjidhjes së problemeve, për shkak se pacientët janë keq dhe shpesh herë shkojnë në sektorin privat të kërkojnë ndihmë, kur kanë mundësi për trajtim edhe këtu”, ka thënë ai.

Sallahu ka theksuar se në këtë klinikë po trajtohen rastet urgjente dhe ato me kancer.

Derisa është shprehur se do të duhet kohë derisa të stabilizohet situata, për shkak të pritjeve të gjata.

Rastet joemergjente kthehen në shtëpi, shteti s’i bënë zgjidhje

Edhe Drejtori i Klinikës së Otrinolaringologjisë, Hajdin Thaçi, ka treguar se me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, kanë ndalur të gjitha operimet elektive.

Ai ka treguar se në këtë klinikë po ofrohen shërbimet që janë urgjente, po trajtohen traumat, rastet me kancer dhe gjakderdhje.

“Ne patëm filluar edhe me rastet elektive, mirëpo me vendimin e fundit të qeverisë, ato janë ndaluar. Ne jemi duke punuar vetëm me rastet urgjente, ku hyjnë traumat, tumoret malinje dhe gjakderdhjet”, ka thënë ai.

Tutje Thaçi ka deklaruar se një pjesë të klinikës e kanë liruar për klinikat interne, për shkak se këto të fundit janë liruar për trajtimin e rasteve me Covid-19.

Operacioneve, pacientët nuk po mund të ju nënshtrohen as në spitalet rajonale në vend.

Nga këto të fundit po ashtu bëjnë të ditur se rastet të cilat nuk janë urgjente, duhet të presin për të hyrë në operacion, deri në përmirësimin e gjendjes me pandeminë.

Nga Zyra për Informim në Spitalin e Pejës, kanë thënë se është reduktuar numri i shërbimeve shëndetësore, dhe se po trajtojnë rastet urgjente dhe ato me kancer.

Ndërsa, njëjtë janë shprehur edhe nga Spitali i Prizrenit.

Kujtojmë se më 11 nëntor, Komiteti për menaxhim të situatës me Covid-19, në nivel të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, kishte vendosur që të pezullojë punën në objektin e ambulancave specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në vendimin e marrë, thuhej se QKUK-ja do të vazhdojë të ofrojë shërbime shëndetësore për rastet emergjente që kanë nevojë për trajtim mjekësorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat