Institucionet pranojnë korrupsionin, zotohen ta luftojnë

Kosova

Institucionet pranojnë korrupsionin, zotohen ta luftojnë

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 14:49
Pamje nga takimi

Institucionet e drejtësisë e kanë cilësuar korrupsionin si pengesën kryesore në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm politik, ekonomik e shoqëror, teksa në Ditën Ndërkombëtare Antikorrupsion janë zotuar se luftimi i korrupsionit është ndër “sfidat kryesore dhe prioritetet madhore të Qeverisë”.

Në një takim që ministri i Drejtësisë Selim Selimi ka pasur me shefin e EULEX-it Lars-Gunnar Wigemark, dhe përfaqësues të Prokurorit të Shtetit, Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kundër Korrupsion, u diskutua për “masat e ndërmarra dhe objektivat në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Ministri Selimi tha se korrupsioni është pengesa kryesore në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm politik, ekonomik e shoqëror, dhe luftimi i tij mbetet një nga sfidat kryesore dhe një nga prioritetet madhore të Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim të Ministrisë së Drejtësisë.

“Shteti i së drejtës dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit vjen kur infrastruktura ligjore nuk kursen asnjë zyrtar shtetëror, cilado qoftë pozita e tij në institucione. Kushdo që shkel ligjin duhet të përballet me të”, ka thënë Selimi në këtë takim.

Selimi ka vlerësuar se përmes Projektligjit për Agjencinë për Parandalim të Korrupsionit do t’i mundësohet këtij institucioni që të bëhet identifikimi i hapësirave që mundësojnë keqpërdorimin apo korrupsionin.

Po ashtu është thënë se Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve sjell “dimension krejtësisht të ri të mbrojtjes së sinjalizuesve në pajtim me standardet dhe praktikat më të mira dhe paraqet një instrument shumë të rëndësishëm për mbrojtjen e interesit publik”.

Selimi ka folur edhe për Projektligjin për Avokaturën Shtetërore. Sipas tij, ky ligj obligon avokatët shtetërorë të ushtrojnë kallëzim penal kur hasin në rastet korruptive.

“Përmes këtij Projektligji, Avokati i Përgjithshëm Shtetëror dhe avokatët shtetërorë, obligohen që nëse gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, hasin në ndonjë shkelje ku ekziston dyshim i arsyeshëm për ndonjë element të veprës penale që ndërlidhet me kategorinë e veprave penale kundër korrupsionit zyrtar dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, të njëjtit ushtrojnë kallëzim penal në pajtim me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, ka theksuar nevojën për bashkërendim të ngushtë dhe shkëmbim të informatave mes të gjitha palëve të interesit. Nga AKK-ja janë shprehur se “mbeten të përkushtuar në realizimin e mandatit dhe kompetencave të kësaj agjencie, konform kornizës ligjore në fuqi në fushat që lidhen me hetimin dhe parandalimin e korrupsionit, hetimin dhe zbulimin e rasteve me natyrë të korrupsionit, mbrojtjen e sinjalizuesve, përpjekjet për parandalimin e fenomenit të korrupsionit si dhe vetëdijesimin e publikut në hapat progresiv drejt krijimit të një shoqërie ku sundon rendi dhe ligji”. Prokurori i Shtetit, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Policia kanë vlerësuar se janë të koordinuara mirë në veprimet në luftën kundër korrupsionit. Ato kanë kërkuar bashkëpunim më të madh me qytetarët.

Edhe pse institucionet e Kosovës janë zotuar se e luftojnë korrupsionin, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian është thënë se në fushën e drejtësisë ka fare pak progres. Aty kontestohet kualiteti i punës së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kontestohet edhe kualiteti i aktakuzave si dhe flitet edhe për shkallë të ulët të konfiskimeve të pasurisë së fituar jashtëligjshëm. Përgjegjës e bën hetuesinë dhe gjyqësorin.

Vitin e kaluar, Prokuroria Speciale pati ngritur vetëm një aktakuzë korrupsioni, e 5 vjetët e fundit asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar me burgim efektiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat