Për 11 muaj u denoncuan 3 mijë e 434 raste të dhunës në familje

Kosova

Për 11 muaj u denoncuan 3 mijë e 434 raste të dhunës në familje

Më: 9 janar 2021 Në ora: 15:23
Foto ilustrim

Rastet e dhunës në familje janë shtuar gjatë vitit 2020. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, krahasuar me vitin 2019 llogaritet se janë mbi 2 mijë raste të raportuara më shumë.

Dhuna në familje është denoncuar më së shumti gjatë muajit gusht. 200 raste të tilla janë raportuara vetëm gjatë këtij muaji.

Gjatë 11 mujorit të vitit 2020, gjithsej janë 3434 raste të dhunës në familje.

Policia e Kosovës thekson se numri i rasteve të dhunës në familje është shtuar për çdo vit.

“Numri i dhunës në familje është rritur dukshëm në vitin paraprak. Vetëm 3434 raste janë raportuar në këta 11 muaj. Muaji gusht i vitit që lamë pas kishte shënuar më së shumti raste të dhunës me mbi 200 të raportuara. Në krahasim me vitin 2019, me 1915 raste të raportuara, në vitin 2020 është rritur me mbi dy mijë raste të dhunës”, thuhet në deklaratën e policisë.

Në vitin 2017 ishin raportuar 1269 raste të dhunës në familje, përderisa në vitin 2018 numri i tyre ishte rritur dukshëm me 1541 raste të raportuara.

“Për rastet e dhunës ne familje, duhet të kihet parasysh se raportimet e rasteve të dhunës në familje kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit ( 2017=1269 raste, 2018=1541 raste, 2019=1915 raste). Policia në vazhdimësi në forma të ndryshme ka apeluar që këto raste të raportohen”, kanë potencuar për nga Policia.

Policia thotë se përkushtimi i vazhdueshëm i tyre ka reflektuar në fushën e parandalimit të dhunës dhe senzibilimit të shoqërisë.

“Masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës me mekanizmat tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje reflekton qasjen proaktive në fushën e parandalimit dhe senzibilimit të shoqërisë”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Informim.

Ndërsa, sociologu Genc Xërxa ka theksuar se pandemia ka ndikuar që numri i këtyre rasteve të rritet pasi që një numër i konsiderueshëm i njerëzve kanë humbur punën, si dhe nuk kanë të ardhura.

“Pandemia ndikon se kemi një numër të konsiderueshëm të individëve që kanë humbur punën, nuk marrin të ardhura të rregullta, kjo detyrimisht krijon një gjendje shqetësuese në raport me individin apo në detyrimet familjare në përmbushjen e nevojave ndaj kërkesave reale për ekzistence. Në pamundësi të realizimit të tyre dhe atmosferës së pashpresë në familje krijohen parakushte pastaj edhe për shfaqje të dhunës ku sensi psikologjik deformohet dhe dita ditës arsyeshmëria fillon të mungojë shumë e më shumë”, tha ai.

Ai thekson se mjafton një konflikt i vogël në familje dhe menjëherë shfaqet sherri apo dhuna, ku sipas tij në disa raste merr edhe formë të pakontrolluar dhe mund të çoj edhe deri tek veprimet më radikale.

“Vetëm një shkrepje e vogël konfliktuoze familjare nevojitet dhe menjëherë sherri apo dhuna vie në sipërfaqe ku në disa raste merr formë të pakontrolluar dhe mund të dërgoj deri tek veprimet me radikale siç po i shohim që po na ndodhin, tek vrasjet mes vet familjarëve apo edhe deri tek vetëvrasjet në pamundësi për t’iu dal ballë vetëm problemeve që shfaqen gjatë jetës, aty ku humb vetëkontrolli dhe sensi psikologjik mes familjarëve apo individëve në ndonjë raport social!”, përfundoi Xërxa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat