OJQ “YAHR” në Lipjan kërkon nga inspektorati e Policia shqiptim të gjobave ndaj partive politike

Kosova

OJQ “YAHR” në Lipjan kërkon nga inspektorati e Policia shqiptim të gjobave ndaj partive politike

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 14:14
Tubim partiak

Gjatë ditëve të fundit subjektet politike në komunën e Lipjanit kanë vazhduar fushatën zgjedhore për zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit duke grumbulluar qindra qytetarë e simpatizantë nëpër restorante në kohë të pandemisë.

Veprimet e tilla po kundërshtohen nga organizata joqeveritare “YAHR” në Lipjan me arsyetim se subjektet politike po i shkelin masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Sipas kësaj OJQ-je, Inspektorati i Komunës dhe Policia e Kosovës duhet të shqiptojnë gjoba dhe t’i parandalojnë veprimet e tilla.

“Organizata joqeveritare “YAHR” shpreh shqetësime se si qindra qytetar dhe simpatizant të subjekteve politike në Lipjan po lejohen të futen nëpër salla të ndryshme për të mbajtur tubime zgjedhore. Ne si OJQ shprehim shqetësime se si Policia e Kosovës dhe Inspektorati nuk po vërehen nëpër këto tubime masive të cilat rrezikojnë jetën e qytetarëve nga përhapja e pandemisë Covid-19”, thuhet në një reagim të “YAHR”-s.

Bekim Krasniqi, drejtor i kësaj OJQ-je, ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe nga Inspektorati i Komunës të shqiptojnë gjoba për të gjitha subjektet politike për këto tubime të cilat po mbahen nëpër restorante.

“Të gjitha këto tubime dëshmohen edhe përmes fotografive të cilat po i shpërndajnë subjektet politike nëpër rrjete sociale. Po ashtu, sipas informacioneve tona, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit sërish vendin tonë e pret një izolim shkaku i pandemisë, andaj kjo është e padrejtë sepse bizneset janë dëmtuar në shkallë të madhe, ndërkohë kërkojmë që masat mos të kufizohen në të ardhmen. Po ashtu kërkojmë që të lejohen edhe mbajtja e dasmave dhe ahengjeve sepse tubimet e fushatës zgjedhore e dëshmojnë se numri i pjesëmarrësve nëpër restauronte është pesë herë më i madh se në një aheng të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në Lipjan dhe as Inspektorati i Komunës gjatë së martës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth kësaj çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat