Marrëveshje bashkëpunimi mes federatave bjeshkatare të Shqipërisë dhe Kosovës

Kosova

Marrëveshje bashkëpunimi mes federatave bjeshkatare të Shqipërisë dhe Kosovës

Nga: Abdurahim Abdushi Më: 17 shkurt 2021 Në ora: 21:34
Nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe

Prizren, 16 shkurt 2021 – Jo rastësisht në kryeqytetin historik të Kosovës, është nënshkruar një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi ndërmjet Federatës Shqiptare të Alpinizmit dhe Turizmit Malor (FShATM) dhe Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës (FBAK). Marrëveshjen e kanë firmosur Kryetari i FShATM-së, Artur Guni, pedagog, dhe Kryetari i FBAK-ut, Mag. Ing. Arben Lila.

Në themel të kësaj marrëveshjeje qëndron ngritja dhe zhvillimi i një modeli për veprimtari të përbashkëta ndërmjet federatave në fjalë dhe synon nxitjen e turizmit malor dhe zhvillimin e mëtejshëm të disiplinave të ndryshme të sporteve bjeshkatare (ecje, ecje bjeshkatare, alpinizëm, çiklizëm malor, kacavarje, shpellëtari, ski-bjeshkatari etj.), në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës.

Gjithashtu palët janë zotuar se do të organizojnë shkollime dhe trajnime të përbashkëta për ekipet e shërbimit të kërkim-shpëtimit malor.

Si hap të parë, për të konkretizuar këtë bashkëpunim, të dyja palët kanë rënë dakord që të zbatojnë një standard të njësuar të sinjalistikës bjeshkatare në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës. Ndryshimet eventuale të këtij standardi do të mund të kryhen vetëm me miratimin e të dyja palëve.

Përkujtojmë se një standard i tillë, mjaft bashkëkohorë, ekziston që disa vite dhe është i provuar në Kosovë (Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemura etj.), por edhe në Shqipëri, në Luginën e Valbonës.

Image
Udhëtreguesit e standardizuar

Komuniteti bjeshkatar i vendeve tona e ka mirëpritur këtë marrëveshje dhe tani bjeshkatarët e organizuar në federatat gjegjëse kanë pritje të mëdha për kryesinë e re të federatës shqiptare dhe kryesinë e tanishme dhe të ardhëshme, që pritet të zgjidhet brenda muajit, të federatës kosovare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat