KKSB shqyrtoi situatën me pandeminë Covid-19

Kosova

KKSB shqyrtoi situatën me pandeminë Covid-19

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 15:00
Kuvendi Komunal i Podujevës

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka shqyrtuar situatën e sigurisë dhe gjendjen me pandeminë Covid-19 në komunë.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në komunë dhe është informuar lidhur me gjendjen e pandemisë Covid-19 dhe ka miratuar Planin e punës së KKSB për vitin 2021 dhe informatën për aktivitetet e KKSB për vitin 2020.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, major Isak Ejupi, tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë.

Komandanti Ejupi, duke raportuar për gjendjen e sigurisë tha se në periudhën e fundit është shënuar rënie të veprave të penale kundër pasurisë-vjedhjeve. Ndërsa, shqetësuese komandanti Ejupi e paraqiti rritjen e aksidenteve në komunikacion, për çka tha se do të ndërmarrin masa parandaluese duke shtuar patrullimet e policisë në rrugë. Ai gjithashtu tha se me qëllim vetëdijësimit dhe parandalimit të përdorimit të substancave narkotike janë duke u mbajtur ligjërata nëpër shkolla.

Gjendjen e sigurisë në territorin e komunës së Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.

Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Driton Veliu, duke raportuar për gjendjen lidhur me pandeminë Covid-19, tha se gjatë muajit shkurt, krahasuar me janarin, ka rënie për mbi 50% të rasteve me të infektuar nga ky virus.

Në komunën e Podujevës, që nga 15 marsi i vitit 2020 deri më 22 shkurt 2021, nga 10,150 teste të kryera janë regjistruar 3,001 raste pozitivë me Covid-19, 2,773 persona janë shëruar, kurse 184 raste janë aktive. Ndërsa, 44 persona të infektuar me Covid-19, kanë humbur jetën.

Drejtori Veliu tha se situata epidemiologjike në komunë është e menaxhueshme, falë edhe bashkëpunimit të rregullt të QKMF-së me IKSHPK-në, Drejtorinë e Shëndetësisë, Drejtorinë e Arsimit, Inspeksionin dhe Policinë.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu, tha se mësimi nëpër shkollat e komunës së Podujevës është duke u zhvilluar sipas skenarëve të përcaktuar nga Ministria e Arsimit për mbajtjen e mësimit në kohë pandemie. Drejtori Fetahu tha se aktualisht janë tre mësimdhënës dhe nëntë nxënës të infektuar me Covid-19.

Në mbledhjen e sotme KKSB miratoi Planin e Punës së KKSB për vitin 2021 dhe Informatën për aktivitetet e këtij organi gjatë vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat