Fillon fushata për përgatitjen e vaksinimit kundër COVID-19

Kosova

Fillon fushata për përgatitjen e vaksinimit kundër COVID-19

Më: 5 mars 2021 Në ora: 05:54
Ilustrim

Në vazhdën e aktiviteteve për parandalimin e përhapjes së infeksionit me COVID-19, fillon edhe fushata nacionale për informimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për mirëmbajtjen dhe forcimin e zbatimit të masave parandaluese dhe përgatitjen për fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.

Kjo fushatë financohet nga Mbretëria e Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë, implementohet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) në koordinim me ekipin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara znj. Ulrika Richardson, Zv. Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë Sh.T. Jacob Webber, , Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA për Kosovë Dr. Visare Mujko-Nimani, Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Prof. Dr. Naser Ramadani  dhe Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës z. Imri Ahmeti do të flasin para mediave në lidhje me zhvillimin kampanjës.

Fushata ka për qëllim që të rrisë dhe forcojë më tutje vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës për pandeminë COVID-19 dhe zbatimin e masave të domosdoshme parandaluese dhe të mbrojtjes personale e institucionale, të cilat ruajnë shëndetin publik dhe shpëtojnë jetë.

Fushata gjithashtu ka për qëllim që të përkrahë institucionet shëndetësore në nivel qendror dhe lokal në përballimin e sfidave të shumta lidhur me pandeminë dhe bashkëjetesën me virusin në një normalitet të ri, duke i respektuar në përpikëri masat parandaluese, si dhe përgatitjen për vaksinimin e popullatës, sapo që vaksina të jetë në dispozicion.

Këto qëllime fushata do t’i arrijë përmes ofrimit të informatave dhe këshillave të mbështetura në dëshmi shkencore, edukimit dhe promovimit shëndetësorë për të gjithë qytetarët e vendit tonë, pa dallim. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat