​Qytetarët nuk respektojnë masat por kërkojnë përkrahje financiare për të infektuarit me Covid-19

Kosova

​Qytetarët nuk respektojnë masat por kërkojnë përkrahje financiare për të infektuarit me Covid-19

Më: 21 mars 2021 Në ora: 16:36
Foto ilustruese

Përkundër numrit të madh të të infektuarve me Covid-19 në Kosovë dhe përkundër paralajmërimeve se brenda muajit mars mund të tejkalohen kapacitetet e planifikuara spitalore, një pjesë e qytetarëve thonë se nuk duhet shtrënguar masat anti-covid, por duhet të respektohen ato elementare siç është bartja e maskës, distanca dhe dezinfektimi i duarve dhe hapësirave.

Qytetarët thonë se fajtor për numrin kaq të madh të të infektuarve janë moskujdesi, derisa i shohin si të nevojshme përkrahjen financiare nga shteti dhe komunat, për pacientët me Covid-19.

Abdullah Hajdari, qytetar nga Prishtina dhe gjithashtu anesteziolog në QKUK, tha se në rritjen e numrit të rasteve ka ndikuar vetëm mosrespektimi i masave. Ai shton se sa e nevojshme është ndihma financiare për të prekurit me Covid-19, pasi që në spital mungojnë një gamë e madhe e barnave të nevojshme për trajtim.

Hajdari: Izolimi po ndikon keq

“Mos respektimi i masave të pandemisë…Shtrëngim të masave mendoj jo vetëm duhet të rritet niveli i vetëdijes së qytetareve që të respektojnë masat, bartja e maskës është mbi të gjitha edhe ne jemi shtet i varfër në momentin që po izolohemi, e kemi provua izolimin vitin e kaluar, kështu që ka qenë shumë d.m.th një ndjenjë shumë e keqe sepse i kemi shumë pak vite prej që e kemi kalu edhe luftën, kështu që çdo izolim po ndikon keq duke marrë parasysh që jemi një shtet i varfër dhe shumë gjana këtu nuk funksionojnë siç duhet. Ne aty jemi në spital edhe dimë se sa harxhime kanë ata, bile në fakt nuk mundemi as të imagjinojmë, se disa barna janë por një pjesë e madhe prej tyre ata detyrohen t’i blejnë, sepse është një gamë e madhe e barnave të cilat përdoren, qoftë suplemente të ndryshme ose edhe antiviral e kështu me radhë”, tha ai.

Agim Fushtica nga Prishtina thotë se qytetarët nuk po i përmbahen rregullave por që në rritjen e numrit të të infektuarve, ka ndikuar edhe fushata e subjekteve politike.

Ndihmat financiare, sipas tij, jo vetëm që u lehtëson harxhimet qytetarëve por edhe ndikon pozitivisht, pasi që do të kenë ndjenjën se dikush po kujdeset për ata.

Fushtica: Duhet të ketë masa që kanë efekt

“Nuk i përmbahem rregullave...ka ndikuar edhe fushata, edhe krejt ka pak jemi ardhur në ketë gjendje me numra alarmante. Duhet me pas gjithsesi masa, do të thotë masa që kanë efekt, jo me i vendos masat, t’i vendos masat edhe kishe bëmë diçka, ma mirë me marrë me studiuar qysh po bëjnë jashtë, pse po bëjnë të jashtmit kësi masa, ashtu me i bo edhe masat dhe ka me pas sukses me tejkalua edhe këtë gjendje shumë të vështirë…Gjithsesi duhet me i përkrah se harxhimet janë shumë të mëdha…një ndihmë sado kudo me qenë i ndihmon një familjes, është ndihmë shumë e madhe sadopak me qenë është shumë e madhe, edhe psiçikisht po kujdeset dikush për ty, është dikush mbrapa teje, ka njëfarë ndjenje që po kujdeset e në kësi rastesh i ndihmon shumë”, tha ai.

Edhe Remzi Dragidella fajëson fushatën që ndikoi në rritje të rasteve. Sipas tij, qytetarët duhen të jenë më të vetëdijshëm dhe të mos vije puna deri te shtrëngimi i masave.

Dragidella: Duhet të vetëdijesohemi dhe t’i respektojmë masat anti-covid

“Normal, fushata e bëri të veten pakontroll, gjithë ata njerëz bashkë, kontaktet e afërta e bëjnë të veten normal. Më së pari kishte qenë mirë me qenë të vetëdijshëm që krejt me u përmbajt e mos me pru punën për mos me ardh deri te shtrëngimi i masave në radhë të parë, e dyta duhet nëse është e domosdoshme më mirë prej dy të këqijave me zgjedh një pak më të keqe. (Mbështetje financiare për të prekurit me covid-19) Patjetër nëse ka mundësi financiare patjetër si jo” tha ai.

Përndryshe, të premten në takimin e komitetit anti-covid, u tha se për shkak të numrit të madh të të hospitalizuarve, brenda këtij muaji mund të tejkalohen kapacitetet spitalore.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani theksoi se në dy javët e fundit ka rritje të numrit të rasteve për 27,6, derisa ka bërë të ditur se në dy javët e fundit janë raportuar 110 raste të vdekjeve me COVID-19.

Ndërsa, drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi theksoi se numri i të shtrirëve në klinika të premten i është afruar numrit 800.

Krasniqi: I bëjmë thirrje komitetit të mendojë seriozisht alternativa për të rritur kapacitet

“Për më pak se 3 javë, brenda 18 ditëve të muajit mars, kemi një rritje të të hospitalizuarve për 66 për qind. Ndërsa, 1 mars kemi pasur 528 pacientë të shtrirë, sot kemi 270 pacientë më tepër të shtrirë në spitalet tona. Dhe kjo rritje për neve në një periudhë kaq të shkurtër kohore është jashtëzakonisht shqetësuese. Për faktin që nëse vazhdon ky trend i të hospitalizuarve kjo nënkupton që mbase brenda muajit mars do të tejkalohen kapacitetet e planifikuara. Ne si ShSKUK i bëjmë thirrje këtij komiteti dhe qeverisë të mendoj seriozisht edhe për alternativa tjera për të rritur kapacitet me shtretër”, ka shtuar ai.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj në fund të takimit ka folur edhe për vaksinat, ku tha se sasia e tyre për Kosovën sipas programit të COVAX-it do të nisë prodhimin gjatë muajit mars.

Zemaj: COVAX ka konfirmuar që sasia për Kosovën do të jetë në prodhim gjatë marsit

"Akoma është duke vazhduar komunikimi me të gjithë. Sidomos me ata që kemi pasur deklarata që në shkurt. Pjesa që ndërlidhet me aleancën COVAX, konfirmimin e kemi marrë që sasia për Kosovën do të jetë në prodhim gjatë marsit”, ka njoftuar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat