Rrëfimi i Elhami Isufit të cilit iu vranë babai dhe dy vëllezërit në Masakrën e Shtuticës

Kosova

Rrëfimi i Elhami Isufit të cilit iu vranë babai dhe dy vëllezërit në Masakrën e Shtuticës

Më: 30 prill 2021 Në ora: 19:44
Elhami Isufi

Më 30 prill të vitit 1999 forcat serbe vranë dhe masakruan 350 civilë shqiptarë, mes tyre edhe 24 fëmijë, në Drenas dhe fshatrat përreth.

Nga ta 271 të vrarë dhe të masakruar ishin vetëm nga fshatrat Shtuticë dhe Vërboc.

Në mesin e tyre janë edhe babai dhe dy vëllezërit e Elhami Isufit, i cili ka rrëfyer se si ka ndodhur ngjarja e rëndë dhe momentin e vështirë kur ka kuptuar për vdekjen e tyre.

“Unë nuk kam qenë në fshat. Kam qenë si student në Prishtinë, por më pas jam larguar me tren në Bllacë dhe më pas në Maqedoni. Familjarët e tjerë kanë qenë në fshat. Babai ka qenë në malet që janë afër, ndërsa vëllai ka qenë me mësuesin Rifat në Malet e Baksit.

“Përveç babait dhe vëllezërve më janë vrarë edhe katër djem të axhës. Babai me djemtë e axhës, Halitin dhe Dastanin, janë vrarë afër malit ku ishin strehuar. Vëllai i madh dhe vëllai i vogël bashkë me djalin e axhës kanë qenë në pjesën e Malit të Baksit ku edhe janë vrarë bashkë edhe me 18 kushërinj të tjerë që kanë qenë bashkë me ta”.

“Kam qenë në Maqedoni dhe normalisht vizitonim kampet e refugjatëve që vinin nga Kosova në kërkim të familjarëve tanë. Kësisoj nga të ardhurit nga fshati Shtuticë dhe fshatrat e tjerë përreth kemi marrë informacione se një pjesë e madhe e tyre janë vrarë. Vëllai që e kam dëshmor është vrarë, por nuk e ka ditur askush se ku. Tek pasi jam kthyer unë në Kosovë në muajin qershor një bashkëfshatar i fshatit Baks i ka gjetur eshtrat dhe na ka lajmëruar si familje. Unë bashkë me familjarët e tjerë kemi shkuar dhe i kemi marrë eshtrat e vëllait dhe djalit të axhës dhe më pas e kemi bërë rivarrimin e tyre”.

Isufi ka treguar edhe një histori shumë të dhimbshme ku në këtë masakër të 22 vjetëve më parë është vrarë edhe një kushëri i tij 13 vjeçar (Esat Ademi) dhe bashkë me të edhe të pesë burrat e familjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat