Si janë emërtuar rrugët në Deçan

Kosova

Si janë emërtuar rrugët në Deçan

Nga: Arif Mulliqaj Më: 1 maj 2021 Në ora: 16:10
Deçan

Në Deçan ndodh edhe kjo: Asnjë rrugë, asnjë shesh nuk mban emrin "Kuvendi i Verrave të Llukës"(?!)

Për këtë opinion mora shkas nga 31 vjetori i Kuvendit të Verrave të Llukës, e sidomos mungesës së emërtimit të një rruge me emrin e këtij kuvendi.

Ndryshe, nga ajo që pash gjatë një shëtitje rreth e qark Kosovës, gjeta, ose më mirë më thanë pash se emërtimet e rrugëve në Kosovë janë bërë thuaja pa asnjë kriter. Edhe në kontakt me disa anëtar të komisioneve komunale për emërtimin e rrugëve, arrita të kuptoj se ata kishin pasur vështirësi (?!) gjatë punës së tyre bile ishin përballë edhe me kërcënime se, në këtë apo atë rrugë duhet të vihet emri i “filanit” se ndryshe nuk bën.

A s´është qesharak ky kriter?!

Hiq emërtimet në shkallë vendi (në gjithë Kosovën), kësaj here po ndalem te emërtimet në Deçan, që janë aq folklorike, tallava emërtime dhe pa vlerësime adekuate, sa çdo qytetar që sado pak mendon me edukatën e vet, e kupton se kriteri i meritës, vlerësimit këtu nuk ka ardhur në shprehje. Mirëpo, që ti ik keqkuptimit, po them se emërtimet me emra dëshmorësh kanë një rëndësi të veçantë dhe vend të veçantë, por nuk është e domosdoshme që çdo rrugë të emërtohet vetëm me emra të atyre që janë vrarë në luftën e fundit, në çfarëdo rrethane qoftë vrasja e tij.

Merita e luftëtarit dhe rënia si dëshmorë ka lartësinë e vet morale, por Deçani nëpër kohë ka pasur edhe personalitete tjera atdhetare, kulturore, shkencore që brenda atyre 600 rrugëve dhe shesheve të Deçanit dhe fshatrave, kanë mundur të emërtohen edhe personalitete tjera.

Sipas komisionit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve në bashkëpunim me drejtorin komunal të Urbanizmit, për këto personalitete nuk paska pasur vend, nuk e paskan parë të arsyeshëm as për toponime karakteristike që ka Deçani me rrethinë, çka në botën e qytetëruar ato janë pasuri e pamohueshme e një populli.

Komisioni për emërtime të rrugëve në Deçan nuk gjeti vend:

-Që asnjë rrugë e qytetit të Deçanit të emërtohet me emrin “Kuvendi i Verrave të Llukës”(?!)

-Nuk e gjeti asnjë rrugë për emrin e Tahir Efendi Llukës (1840-1906), një intelektual i madh i kohës, ligjërues në Shkollën e lartë “Fatih” të Stambollit, në kohën kur rektor i Universitetit të Stambollit ishte Hoxha Tahsini. Ky autor i disa librave shqip me alfabet arab, themelues i shkollës së parë shqipe në ketë anë, që nuk është lënë pas dore as nga studiues të fushës se historisë, albanologjisë, orientalistikës e tjerë. Shikoni studimet e Dr. Avdullah Hamiti, Dr. Muhamet Pirraku, Dr. Ramiz Zekaj, Dh. Shuteriqi, Akdemik Idriz Ajeti, Hasan Kalleshi e tjerë.

Image

-Nuk ka vend as për Haki Taha (Gjakovë, 1913 - Prishtinë, 1945), njëri prej mësuesve të parë në Deçan, një nacionalist i përbetuar, atdhetar i pashoq që vrau Miladin Popoviqin...

-S´ka vend për asnjë rrugë me emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare Smail Haradinajt,...

-Nuk gjendet asnjë rrugë me emrin e poetit deçanas Din Mehmetit nga Gjocaj, Ali Sutajt nga Lluka, Haxhi Vokshit nga Vokshi, pastaj këngëtarit; Dervish Shaqa- Demush Neziri, Shaq Avdija, aktori Skënder Mehmetaj... mjekëve të parë shqiptar nga trevat e Deçanit: Dr. Esat Mazrekaj, Dr. Ali Hoxha..., duhet të zënë vend në panteonin e vetëdijen e deçanasve.

-Tre studentët shqiptar që i sollën nga Beogradi dhe i pushkatuan në kufirin shqiptaro-shqiptar, a nuk e meritojnë një kujtesë nga ai (?!)komision?

Në botën e qytetëruar kam hasur në shumë rrugë e sheshe të emëruara sipas toponimeve, gjë që Deçani ka shumë të atilla dhe janë karakteristike; Kuvendi i Verrave të Llukës, Kolonia e shkrimtarëve dhe piktorëve, që organizohej në Deçan te Pishat, Ura e Haxhive, Drumi i telit, Ura e Demës, Gjeravica, Vorri i Kolës e tjera, që qëllimisht apo aksidentalisht nuk kanë lënë gjurmë në vetëdijen e Komisionit?

S´di a ka pasur debat kundërvënë ndërmjet pozitës e opozitës në mbledhjet e Kuvendit, s´di këshilltarët a kanë drejtuar vërejtje ndaj Komisionit, pse nuk u kanë kushtuar rëndësi më shumë personaliteteve të kësaj treve. Nëse jo, atëherë në Deçan s´di a ka komunitet artistik që t´ia sugjeroj këtij komisioni edhe personalitetet kulturore dhe intelektuale. Apo, ndoshta edhe ata nuk janë në gjendje profesionale ti kritikojnë përcaktimet herë-herë jo parimore të këtij Komisioni, i cili emrat e njerëzve të kulturës, artit, humanizmit nuk nderojnë nëpër rrugët e qytetit, e pse jo, edhe nëpër rrugët e fshatit.

Pavarësisht kësaj, nuk e kuptoj si kanë reaguar Lidhja e Historianeve e dega në Deçan, për ketë injorancë kur kanë parë ose dëgjuar se në Prizren dhe Prishtinë ekzistojnë rrugë me emrin “Verrat e Llukës”, por nuk ka në Deçan, Pejë, Gjakovë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat