Tollovi te salla “1 Tetori” – radhë të gjata për vaksinim, intervenon Policia

Kosova

Tollovi te salla “1 Tetori” – radhë të gjata për vaksinim, intervenon Policia

Më: 14 maj 2021 Në ora: 07:39
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar 11:21) - Pas një ditë pushimi së procesit të vaksinimit për shkak të festës së Fiter Bajramit, sot ka rinisur vaksinimi i personave mbi moshën 65 vjeç. Para qendrës së vaksinimit në Prishtinë u shkaktuan tollovi e madha, pasi qytetarë të shumë kishin ardhur për t’u vaksinuar. Derisa pritjet për të marrë vaksinën ishin disa orëshe, aty ndërhyri edhe Policia e Kosovës.

Në Prishtinë procesi i vaksinimi është duke u zhvilluar vetëm në sallën “1 Tetori”. Ndërsa nëpër komunat tjera, vaksinimi i grup-moshave mbi 65vjeç do të ndodhë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

I 692 me radhë për t’u vaksinuar ishte Hamdi Gashi, i cili thotë se ka dy orë që është duke pritur. Ai thotë se procesi i vaksinimit për këto mosha është pa organizim.

Gashi: Është total pa organizim, kjo është katastrofë

“Që dy orë jam duke pritur…Jo vetëm numrin e morëm tollovi 692…. Është total pa organizim, kjo është katastrofë por nuk po kemi çka të bëjmë po duhet të presim”, tha Gashi.

Azizi Gashi priti rreth 4 orë vetëm për ta marrë një numër për t’u futurë pastaj në radhë për vaksinim. E gjithë këtë proces ai e konsideron “katastrofë”, madje thotë se kështu po rrezikohet shëndeti.

Gashi: Procesi është katastrofë, po rrezikohemi

“Qe nja 3-4(orë) po…është katastrofë, mund të ndodhë që deri tash jemi ruajtur, ndërsa tani e kemi marrë”, tha ai.

Edhe Nazif Kosumi kishte ardhur për t’u vaksinuar kundër COVID-19, ndonëse është i 703 me radhë, ai nuk e di edhe sa do pres për t’u imunizuar.

Kosumi: Nuk është mirë, është shumë pa organizim

“Tash një orë e gjysmë jam duke pritur për numër njëherë e për vaksinë tash nuk e di sa duhet me prit…..Asgjë nuk na thanë vetëm na i dhanë këta numra jam 703 po me duket…..nuk është mirë, është shumë pa organizim se është dashur ta bëjnë njëfarë radhe dhe kishte shkuar më lehtë…Gjithë kjo tollovi, COVID nuk po vetë“, u shpreh Kosumi.

Për t’u vaksinuar kishte ardhur edhe kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i cili thotë se qytetarët e Kosovës kanë derdhur mjaftë para në buxhetin e Kosovës, prandaj Qeveria e Kosovës do duhej deri tani t’i blinte vaksinat dhe jo të pritet mëshira e donatorëve.

Kaçaniku: Qeveria t’i blej vaksinat sa më parë

“Ne jemi gjenerues kryesor të buxhetit dhe në buxhet kemi derdhur mjaftë para që të kemi mundësi për t’i blerë vaksinat e mos të varemi nga mëshira e askujt dhe nga as mëshira e Bashkimit Evropian. Ne meritojmë që ta kemi vaksinën tonë në kohën kur ne na duhet e jo në kohën kur për dikë ka kaluar kjo kohë…Le të jetë kjo porosi për qeverinë, paratë tona mos t’i shfrytëzojnë diku gjeti por le të blejnë vaksina e mos të varemi nga mëshira e askujt”, tha ai.

Krahas këtyre që prisnin për t’u vaksinuar kishte edhe nga të moshuarit që thonë se nuk po vaksinohen me vaksinën që ata duan.

Nexhat Sylejmani i cili pas më shumë se tri orë pritje u vaksinua, thotë se edhe pse dëshiroi të vaksinohen me vaksinën Pfizer, u detyrua ta marrë AstraZenecën.

Sylejmani: Duhet me ia dhënë pacientit vaksinën që do

“Kam ardhur me vetë dëshirë me marrë këtë far vaksine, kam dashur me marrë Pfizer, jam i sigurt që kanë por nuk deshën me ma dhënë, u detyrova me marrë (AstraZenecën) meqë ia dhanë edhe bashkëshortes…Kjo nuk është e mirë ose jepja pacientit atë që e do, nëse nuk e ke mos bë këso tollovie e dallaveresh, kështu që nuk jam i kënaqur”, tha Sylejmani.

Tollovia e shkaktuar para sallës “1 Tetori”, në Prishtinë ka nxitur reagimin edhe të partive opozitare, pasi udhëheqësit e tyre kanë deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk ka ditur të organizojë procesin e vaksinimit.

Kosova ka pranuar të merkurën edhe 38 mijë doza të vaksinës AstraZeneca nga aleanca COVAX e OBSH-së. Ndërsa vaksina në formë donacioni për qytetarët e Kosovës janë dhuruar edhe nga Bashkimi Evropian.

***

Të moshuarit të cilët nga mëngjesi po prisnin për tu vaksinuar në Sallën “1 Tetori”, janë lejuar të hyjnë brenda për të pritur radhën.

Teksa në mëngjes kishte tollovi, pasi shumë të moshuar kishin ardhur edhe nga qytetet tjera për tu vaksinuar, tashmë ata të cilët kanë marrë numrat janë lejuar të hyjnë brenda e të presin.

***

Pas një ditë pushimi për shkak të Fiter Bajramit, ka rifilluar vaksinimi i qytetarëve mbi moshën 65-vjeç.

Për rajonin e Prishtinës, vaksinimi vijon në sallën “1 Tetori” ndërsa në komunat e tjera nëpër Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Interesimi i qytetarëve ka qenë i madh për të marrë vaksinën, duke shkaktuar tollovi e radhë të gjata  për cak është dashur edhe intervenimi i Policisë së Kosovës.

ImageMadje disa nga të moshuarit thanë se duke pritur që ta marrin vaksinën qe më shumë se dy orë.

Sot vazhdon vaksinimi i personave mbi moshën 65 vjeç

Procesi i vaksinimit të personave mbi moshën 65 vjeç do të vazhdojë sot në të gjitha komunat, pas ndërprerjes së këtij procesi dje shkaku i festës së Fitër Bajramit.

Vaksinimi do të fillojë nga ora 08:00 e do të zgjasë deri në orën 19:30 dhe do të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeçare. Prioritet thuhet se do të kenë ata që janë regjistruar në platformën e-Kosova.

Për banorët e kryeqytetit, vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori”, derisa nëpër komunat e tjera, vaksinimi do të kryhet nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Vaksinimi do të vazhdojë edhe gjatë vikendit në të njëjtin orar. Kujtojmë se Kosova gjatë këtyre ditëve ka pranuar një kontingjent të ri të vaksinave.

Fillimisht të hënën arritën 3 mijë doza ta vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian. Kurse të mërkurën në Kosovë arritën 38 mijë e 400 doza të vaksinës AstraZeneca përmes COVAX.

Kujtojmë se që nga mbërritja e 24,000 dozave të para të vaksinës kundër COVID19 në mars 2021, Ministria e Shëndetësisë zbatoi Planin Kombëtar të Vaksinimit, ku punonjësve shëndetësor dhe të moshuarve u dha përparësi si grupet e para për tu vaksinuar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat